Vipat në burgun e Fushë-Krujës kundër ministres Gjonaj

88 të dënuar në burgun e Fushë-Krujës, kërkojnë që mos ndryshojnë qeli. Me anë të një peticioni, ata i kërkojnë ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj të mos i transferojë nga burgu i Fushë Krujës për në Korçë apo Peqin, pasi Fushë-Kruja nuk do të jetë më një burg i sigurisë së lartë. Me anë të një vendimi përcjellë vartësve të saj, Gjonaj ka urdhëruar që burgu i Fushë-Krujës të mos klasifikohet i sigurisë së lartë por të kthehet në një burg të zakonshëm.

Heqja e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë do ta kthente atë në një burg të zakonshëm, ku dhe masat e sigurisë nuk do të ishin të përshtatshme për personat që qëndrojnë aty dhe sipas vendimeve të gjykatës. Burgjet e sigurisë së lartë kanë kontrolle të shtuara, regjime ajrosje apo takime të kufizuara si dhe vendndodhje gjeografike e cila ndodhet në vende larg qendrave të banuara.

Sipas peticionit, të burgosurit shprehen se në rast të një transferimi atyre do tu rriten kostot e takimit me familjarët, do tu vështirësohen takimet si dhe do tu rriste kostot shëndetësore për të cilat ata shprehen se kanë bërë pagesa pranë klinikave private.