Vetëdorëzohet në Polici zyrtari i lartë i PS-së

Nëndrejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës së Durrësit, Arben Isaku, i cili mban dhe detyrën politike si sekretar organizativ i Partisë Socialiste, është vetëdorëzuar në Polici disa ditë pasi u shpall në kërkim, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

”Ditën e sotme është ndaluar pasi është vetëdorëzuar edhe ekonomisti i këtij institucioni, shtetasi me iniciale R.K, 27 vjeç, banues në Durrës. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: A.J, 42 vjeç, banues në Durrës, me detyrë Zv/Drejtor pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës-Durrës; F.R, 28-vjeç, banues në Durrës, me detyrë Specialist pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës-Durrës”,-thuhet në njoftimin e Policisë.

Mësohet se Isaku në bashkëpunim me këta persona ka pajisur me leje legalizimi dy shtetas përmes falsifikimit të dokumenteve. Disa ditë më parë, Isaku i kontaktuar nga mediat është shprehur se ndodhet me pushime dhe se nuk ka dijeni për hetimin e nisur ndaj tij. Funksionari i PS-së mohon të jetë përfshirë në paligjshmëri ndërsa shprehet i gatshëm të përballet me drejtësinë.