Trafik armësh nga Serbia në Shqipëri, kapet me 19 pistoleta e tritol

Një shtetas kosovar është arrestuar në Elbasan, i cili trafikonte armë dhe municione nga Serbia në drejtim të Shqipërisë. Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga shtetasin Y. A, 51-vjeç, lindur në Kacandoll dhe banues ne Podujevë, të cilit i janë sekuestruar 19 pistoleta të kalibrave të ndryshëm, 400 fishekë luftarak dhe 1.6 kilogramë tritol TNT.

Sipas policisë, shtetasi nga Kosova u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë. Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera.