Shërbimi Kombëtar për Rininë, aktivitete dhe mesazhe sociale për të rinjtë

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di! Thueja kangës sate që të vlon në gji. Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull… Mos e freno kangën! Le të marri udhë”. Me këto vargje të Migjenit si motiv, në ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Shërbimi Kombëtar për Rininë, krijoi një super ditë të mbushur me aktivitete që nxisin ndërgjegjësimin e të rinjve, i mësojnë atyre aftësi të ndryshme, si dhe japin mesazhin e tolerancës, socializimit dhe ndarjen e vlerave më të mira të gjithësecilit në shoqëri.

“Është e rëndësishme të kemi të rinj aktiv, që dinë të marrin më të mirën në ambientin ku socializohen dhe dhurojnë energjitë e tyre pozitive për bashkëmoshatarët. Le t’i japim zë dhe forcë vendimmarrëse rinisë, sepse janë ata që do krijojnë Shqipërinë që duam. Shërbimi Kombëtar për Rininë është dera e hapur për çdo të re e të ri, që së bashku të identifikojmë nevojat që rinia e sotme ka, sfidat si dhe të planifikojmë gjithçka që i bën të rinjtë më të motivuar dhe më të angazhuar” , u shpreh Irsa Ruçi, Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë.

SHKR u ndal të promovojë në këtë ditë domethënëse të rinjtë që kanë më tepër nevojë t’u dëgjohet zëri. Për të qenë pranë tyre, për të dhënë mesazhin se shpirti rinor është përherë i bukur, pavarësisht sa e mundojnë vështirësitë. Gjithashtu, SHKR po angazhon sot sa më tepër të rinj edhe përmes Qendrave Rajonale Rinore që ka në varësi. Qendra Rinore e Tiranës, së bashku me rrjetin e saj të vullnetarëve vendosën të trajtojnë disa çështje rinore të rëndësishme për aktualitetin. Një ndër to ishte “Aktivizimi përmes artit”, ku me të ftuarën e veçantë Iris Canaj, regjisore, drejtore ekzekutive e DoART dhe të rinjtë pjesëmarrës diskutuam mbi rëndësinë dhe vëmendjen që i kushtohet artit; rreth vullnetarizmit, aktivizimit dhe veçanërisht aktivizimit përmes artit.

Rëndësi ju kushtua dhe temës së “Bullizmit”, kryesisht në shkolla, gjimnaze, shoqëruar me të dhëna të studimeve të fundit mbi bullizmin dhe leksione motivuese për ta shmangur atë dhe si duhet të sillen të rinjtë përpara skenave ku shohin bashkëmoshatarë që dhunohen fizikisht ose psikologjikisht. Për të folur rreth kësaj teme ishte e ftuar Slimentina Musabelliu, oficere sigurie tek shkolla Asim Vokshi, e cila diskutoi bashkë me të rinjtë pjesëmarrës rreth kësaj teme, sa ndihen ata të prekur nga bullizmi në ditët e sotme, sa të sigurt janë të rinjtë nëpër shkolla, roli i oficerëve të sigurisë në shkolla, etj.

Më pas, të rinjtë u përfshinë në lojëra të ndryshme, të tilla si: tavëll, shah, ping-pong, etj. Ndërsa Qendra Rinore e Korçës organizoi një diskutim me temë: “Transformimi i metodave të edukimit” Si duhet të qaset mësimdhënia e ditëve të sotme, në një shoqëri që çdo ditë e më tepër po ecën drejt teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimit? A është e nevojshme që metodat tradicionale të mësimdhënies të vazhdojnë të jenë ende të pranishme, apo koha kërkon transformimin e tyre?

Këto dhe shumë të tjera u diskutuan me të rinjtë, të cilët u ndalën te rëndësia që duhet t’i kushtohet gjithpërfshirjes dhe shkollës si qendër komunitare. Nëpërmjet një trajnimi të organizuar nga studentët e IT, të rinjtë patën mundësinë të mësonin disa nga programet kryesore kompjuterike, për t’i ardhur në ndihmë të nxënit efektiv. Nga Qendra Rinore e Vlorës, nëpërmjet aktiviteteve të saj, erdhi ndërgjegjësimi përmes mesazhit: “Rinia simbolizon agimin e Diellit, çdo mëngjes ngjall shpresat e nxit buzëqeshjet për një ditë më të mirë se ajo e djeshmja. Kështu, nga çdo gjeneratë e re lind një shpresë e re për ndryshim. U finalizua dhe shkolla verore me tematikën mbi fenomenin e bullizmit si një problem i rinisë së sotme.