Punonjësit e Tatimeve trajnohen për legjislacionin fiskal

Në kuadër të zbatimit të planit operacional stop informalitetit, qendra për trajnimin e administratës Tatimore dhe Doganore (QTATD) po zhvillon një seri trajnimesh në të gjithë rajonet me qëllim aftësimin profesional të administratës tatimore në lidhje me legjislacionin fiskal. Në trajnimin që u zhvillua në Drejtorinë Rajonale Tatimore Lezhë ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Harxhi.

“Është një aspekt shumë i rëndësishëm që Ministria e Financave dhe qendra e trajnimeve që është në varësi të saj i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, pasi edhe në gjykimin tonë nuk është vetëm pjesa e tatim-paguesve që duhet edukuar dhe duhet rregulluar, por ka shumë për të rregulluar dhe përmirësuar dhe në aspektin e administratës tatimore dhe për këtë qëllim ne kemi treguar një fokus të veçantë duke organizuar një seri trajnimesh, të cilat synojnë në rritjen cilësore dhe në trajnimin e administratës tatimore, në kuptimin e legjislacionit fiskal dhe të përputhshmërisë me të, por jo vetëm. Ata duhet të jenë proaktivë dhe duhet të luajnë një rol të rëndësishëm edhe në transmetimin e këtyre njohurive edhe për tatimpaguesit”, tha Haxhi.

Sipas tij, plani operacional stop informaliteti po zbatohet, bazuar në një model dhe analizë risku, me qëllim identifikimin e atyre tatimpaguesve, të cilët kanë thyer rregullat.

“Nga rezultatet, apo nga faktet që vijnë nga terreni, rezulton se gjithë shkeljet më të mëdha janë kryer nga bizneset të mëdha, më shumë sesa ato të vogla. Natyrshëm që me daljen në terren të Hetimit Tatimor, do të ketë një kontroll rutinë edhe tek bizneset e vogla për përmbushje të disa komponentëve thelbësorë të legjislacionit tatimor, siç është: lëshimi i kuponit, apo edhe regjistrimi në organet tatimore, duke qenë se ata kryejnë një aktivitet ekonomik, por kjo nuk do të thotë që kjo është një fokus i kësaj ndërmarrjeje të Administratës Tatimore, pasi fokusi është biznesi i madh”, deklaroi Haxhi.