Kryebashkiaku i ri hyn në zyrë

Pas betimit dhe marrjes së detyrës, kreu i ri i bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj ka hyrë në zyrë. Kryebashkiaku i ri dhe këshilltarët kanë hyrë në zyrë pas orës 16:00, që është edhe orari zyrtar, ndërkohë që dera e zyrës është hapur me forcë pasi ishte e mbyllur.

Ndërkohë kujtojmë se ish-kryebashkiaku i dhjathtë, Agron Kapllanaj më herët vazhdimisht kishte deklaruar se nuk i njihte zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa më mbështetje të tij, Basha ka deklaruar:

“Agron Kapllanaj do të jetë kandidat për Kryetar Bashkie në zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor dhe pa asnjë dyshim, edhe Kryetar i ardhshëm i Bashkisë Mallakastër. Pseudokandidatura e Rilindjes që u refuzua bindshëm edhe nga vetë socialistët nuk mund të jetë kurrë kryetar i bashkisë Mallakastër. Koha për të vendosur me votë kryetarin e vërtetë të bashkisë, sipas Kushtetutës shqiptare, sipas Kodit Zgjedhor nuk do të vonojë. Beteja jonë ka nisur me një qëllim, t’u rikthejë shqiptarëve të drejtën e dhunuar të votës së lirë. Kjo betejë ka për të përfunduar me një rezultat, largimin e Edi Ramës, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë.”