Koncesionet, ekspertët: Rrezikojnë anëtarësimin në BE

Eksperti për ekonominë, Enriko Ceko, shprehet se kontratat e dhëna gjatë dy viteve të fundit janë kthyer në një shqetësim serioz për financat e shtetit. Sipas tij, tek të gjitha kontratat e dy viteve të fundit, kanë qenë problematike pasi janë dhënë me ligje speciale.

”Një nga elementet kryesore për integrimin e Shqipërisë në Europë tani është kthyer edhe çështja e koncesioneve. Pothuajse të gjitha kontratat e dy viteve të fundit kanë qenë problematike, të dhëna me ligje speciale, të cilat dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit, ekonominë shqiptare, xhepin e qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë marrëdhëniet që do të ketë Shqipëria në rajon dhe më gjerë”, thotë eksperti Enriko Ceko.

Teksa mbështet zbatimin e projekteve koncesionare në mënyrë të drejtë, Ceko shton se qeveria duhet të ndjekë një strategji prioritizimi në sektorë të caktuar për këto investime.

“Ne nuk kemi infrastrukturë bujqësore dhe rurale, kështu që është e detyrueshme që buxheti i shtetit, qoftë edhe me kontrata koncesionare, apo PPP, si dhe prokurorimet publike duhet t’i referojë te kjo pjesë”, shton Ceko. Thënë shkurt, kontratat koncesionare të formës së Partneritetit Publik Privat mund të rrezikojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.