Anti-informaliteti, zv/ministri: Shkelësi kryesor është biznesi i madh

Zv/ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi deklaroi se nga aksioni anti-informalitet që po zhvillohet në çdo cep të vendit, shkeljet më të mëdha janë konstatuar te bizneset e mëdha dhe jo të vogla. Gjatë trajnimit të punonjësve të administratës tatimore ai tha se do të ketë një kontroll edhe te biznesi i vogël, por fokusi është te ndërmarrjet e mëdha.

“Analiza e riskut dhe modeli që kemi synon identifikimin e tatimpaguesve që i kanë thyer dhe normalisht rregullat synojnë të identifikojnë tatimpaguesit e mëdhenj. Na rezulton se gjithë shkeljet më të mëdha janë konstatuar te bizneset e mëdha dhe jo të vogla. Do të ketë një kontroll rutinë edhe te bizneset e vogla për përmbushjen e disa komponentëve thelbësore si lëshimi i kuponit dhe regjistrimi. Por kjo nuk do të thotë se është fokus i kësaj ndërmarrje të Tatimeve, pasi në fokus është biznesi i madh. Kemi organizuar një seri trajnimesh që synojnë në trajnimin e Tatimorëve për legjislacionin, por jo vetëm, pasi duhet të jenë proaktivë për tatimpaguesit për njohuritë”.

Aksioni anti-informalitet ka sjellë bllokimin e disa bizneseve në vijën bregdetare, pasi janë kapur me shkelje por jo vetëm, pasi është shtrirë edhe në fushën e tregtimit të karburanteve.