1300 subjekte ulin qepenat në 8 muaj

Këtë sezon veror, qeveria dhe tatimet vijojnë me intensitet planin operacional antiinformalitet në terren, i shtrirë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në anën tjetër, numri i subjekteve që kalojnë në pasiv vijon në rritje. Në 8 muajt e parë të 2019, 1229 subjekte në të gjithë vendin janë listuar në status pasiv, duke deklaruar zyrtarisht se heqin dorë nga ushtrimi i aktivitet tregtar. Referuar të dhënave më të fundit të përditësuara më 13 Gusht 2019, të regjistrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri total i bizneseve pasive rezulton të ketë arritur në 121,390 nga 120,161 subjekte që u mbyll vitit 2018.

Shifra e subjekteve që marrin këtë status vjen në rritje nga muaji në muaj, ndërsa lista është një regjistër që ka të përfshirë tatimpagues që kanë kaluar në këtë status që në vitin 2001, dhe shumë prej tyre mund të kenë kaluar sërish në aktiv. Tirana mban rekord sa i përket bizneseve që kanë kaluar në status pasiv dhe më pas renditet Durrësi. Ndërsa Drejtoria Rajonale Kukës zë peshën më të vogël . Duket se krahas luftës ndaj informalitetit, tatimet do të përqendrohen edhe në këtë drejtim, pasi mund të ketë biznese që operojnë fizikisht në terren, por që mbajnë këtë status.

Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rastet kur nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm apo deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar.

Burimi /Scan/