UEFA dhe FSHF seminar për organizimin dhe menaxhimin e një ndeshjeje nga delegatët

Stephane Keller, Shefi i Delegatëve të UEFA-s, ka mbërritur në Tiranë dhe do të jetë i pranishëm ditën e nesërme si lektor në Seminarin që Federata Shqiptare e Futbollit po organizon sëbashku me UEFA-n për delegatët, të cilët do të trajnohen dhe informohen mbi praktikat më të fundit të organizimit dhe menaxhimit të një ndeshjeje.

 

Ky seminar një ditor zhvillohet me delegatët përpara fillimit të sezonit të ri futbollistik. Në cilësinë e Shefit të Delegatëve të UEFA-s, Stephane Keller, do të ofrojë të gjithë eksperiencën e tij për përgatitjen e një ndeshjeje, që nga marrja e kontaktit me klubet disa ditë përpara zhvillimit të ndeshjes deri në përfundim dhe plotësimin e raportit nga vetë delegati. FSHF synon që nëpërmjet këtij trajnimi të afrojë eksperiencën ndërkombëtare në organizimin dhe menaxhimin e një ndeshjeje futbolli, të rrisë nivelin e kualifikimit të delegatëve duke parë evoluimin e vazhdueshëm të futbollit në vendin tonë. Disa nga pikat ku do të fokusohet seminari janë:

  1. Krizat e menaxhimit gjatë ndeshjeve
  2. Ndërprerja e ndeshjeve
  3. Rastet e dhunës në stadium
  4. Dhunimi i zyrtarëve të ndeshjes
  5. Plotësimi i raportit final të ndeshjes
  6. Komunikimi me klubet disa ditë përpara zhvillimit të ndeshjes
  7. Takimi zyrtar me klubet ditën e zhvillimit të ndeshjes

Në fund të seminarit të gjithë delegatët do ti nënshtrohet një testimi që është përgatitur nga zoti Keller sëbashku me Sektorin e Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit.