Teknologjia e dhunës

Nga Luçiano Boçi

Pamjet e shqyerjes së dyerve nga militantë të ekzaltuar dhe kryebashkiakët e emëruar, kanë bërë xhiron e mediave. Devolli e Kamza ishin më tipiket. Dhuna ndaj institucioneve si asnjëherë tjetër, është mbrojtur me polic e me krim. Një shtet që dhunon shtetin. Regjimi ka shpërthyer kështu aktin final të vendosjes së tij.

Okeliot e lajmeve përhapnin mesazhin se pushteti në Shqipëri merret vetëm me forcë. Ndërsa reagimet nga ata që shqetësoheshin për kapsollat e opozitës ishin shokuese.

Deklaratat për rend e qetësi, që dikur çanin televizionet nuk erdhën nga asnjë drejtim. Një heshtje e kapur nga vapa dhe një pranueshmëri aspak evropiane.

Shqipëria e kësaj vere të trondit me temperaturat e çmendurisë që e ka kapluar. Përkundrejt shtirjes për vendosjen e drejtësisë, pushteti nuk respekton as kushtetutën e as moralin.

Dekreti i Presidentit konsiderohet nga mazhoranca sikur të ishte letër bakalli. Ndërsa urdhëri politik, sikur të vinte nga qielli. Nënshtrimi ndaj tij është i plotë dhe prodhon pa fund absurditet, arbitraritet e dhunë.

Ajo që sot është ndërtuar në Shqipëri, nuk e ka emrin më as shtet, as drejtësi, as demokraci. Ajo quhet qartazi dhunë. Dhunë e strukturuar brenda një teknologjie perfide.

Dhe më e bukura është se dhunuesi Ramë e të tjerë që i shkojnë pas avazit, kombëtarë e ndërkombëtarë, bërtasin për dhunën e opozitës. Të gjithëve iu kujtohen mesazhet bombastike të thirrjeve me nxitim, që vinin nga seli të ndryshme me kërkesa absurde ndaj opozitës për protesta jo të dhunshme. Fiks sipas shprehjes së përshtatur:

U ka zënë dhuna sytë! Sepse nuk arritën dhe nuk duan të shohin e të venë gishtin mbi teknologjinë e dhunës së gjithanshme që ka krijuar e ka vënë në përdorim sot pushteti. Të krahasosh dhunën e pushtimit të bashkive, me hedhjen e kapsollave që shoqërohej me retë e gazrave helmuesë, është sa alogjike aq dhe revoltuese.

Një shprehje spontane e zemërimit nuk mund të jetë dhunë, sikurse është goditja e strukturuar e vlerave e parimeve me veprime të dukshme por dhe të padukshme, me vendime antiqytetare dhe antidemokratike.

E nuk mbaron këtu. Ky pushtet ekziston e zgjat ditët e tij vetëm nëpërmjet dhunës. A nuk është dhunë ligjore e kushtetuese, shpërfillja e dekretit të presidentit dhe kërcënimi më pas për shkarkimin e tij? Padyshim që po. Dhunë e tillë është dhe veprimi i KQZ, e cila mbyti haptazi kushtetutën me duart e Bibës dhe të tre kamikazëve të tjerë politikë. Dhunë ishte dhe vetë 30 Qershori dhe kapja e njerëzve të administratës prej leckash, e invalidëve, e mësuesve, e të përgjëruarve të ndihmës ekonomike, për t’i nxjerrë me pahir në votim.

Dhunë është shembja e Teatrit, sikurse e stadiumit me kullë çiban. Dhunë është shkatërrimi i qendrês historike të Tiranës, i shtëpisë së Fishtës, i shtëpive të njerëzve të zakonshëm.

Dhunë është kapja e akademisë me skoriet e diktaturës e me ligje antishkencë. Dhunë janë tarifat studentore më të lartat në Evropë e mashtrimi ndaj tyre.

Dhunë është grabitja e hapur në ditën me diell, palçkitja me PPP, me rrugë 20 milion euro kilometri. Dhunë e hapur është përzënia epike e shiptarëve, e të rinjve e të rejave drejt vendeve e rrugëve pa kthim. Dhunë është dominimi i bandave në shumë qytete të mëdha të cilat vendosin fate politike, diktojnë votime, emërime, ndajnë tendera e trafiqe bashkë me pushtetin.

Dhuna mediatike në Shqipëri është tjetër realitet i trishtë e i dukshëm dhe pak bëzajnë për këtë. E secila nga këto, i kalon njëqindfish goditjet simbolike të qytetarëve gjatë shprehjes së zemërimit të tyre. E kjo teknologji dhune nuk pikoi një ditë të bukur nga qielli dhe as u imponua nga pozitat e mbrojtësit. Ajo i instalua me një projekt të mirëmenduar. Pushteti dhe krimi gjetën fillin e përbashkët të tyre, dhunën dhe e bënë atë unazën e martesës së tyre, simbol dhe mjet për të ruajtur benifitet e privilegjet.

Sot dhuna dominon, vendos dhe realizon e nëse rri kështu e patrazuar ajo do të fryhet, zgjerohet për t’i zënë frymën çdo hapësire zgjidhjeje të domosdoshme. Heshtja ndaj saj është bërje pjesë e saj. Kundërshtimi i saj dhe mposhtja janë detyrë qytetare. Shkërmoqja e kësaj teknologjie të sofistikuar dhune që pjell e mban në këmbë pushtetin e korruptuar arrihet me përballje e rezistencë.