Idea “e çmendur” e Wilder, nis kontaktet me tre kundërshtarë njëherësh

As një, as dy, por tre. Janë këto idetë më të fundit të Deontay Wilder, me kampionin e peshave të rënda të WBC, që ka vendosur të përballet me 3 kundërshtarë mjaft të fortë brenda një periudhe mjaft të shkurtër.

Lajmi është konfirmuar nga menaxheri i tij, Shelley Finkel, i cili në një intervistë të gjatë për “The Sun” ka pohuar se është futur në kontakte me promotorët e Luis Ortiz, Tyson Fury dhe Anthony Joshua.

Ne jemi duke punuar që të përballemi me Ortiza, Fury dhe Joshua. Ne dëshirojmë që të përballemi me ta brenda një periudhe mjaft të shkurtër, të cilat shpresojmë t’i vendosim në dy javët e ardhshme. Në dy javët e ardhshme do të thuhet publikisht se çfarë do bëjmë dhe besoj se tifozët nga Britania e Madhe do të jenë gjithashtu të lumtur“.-tha Finkel.

Wilder vendos në dispozicion titullin e fituar pak ditë më parë, teksa pengesë në këtë plan bëjnë kontratat e boksierëve me media të ndryshme sportive.

Joshua ka një marrëveshje shumë-milionë dollarësh me rrjetin amerikan DAZN, ndërsa Fury kohët e fundit ka nënshkruar një marrëveshje të madhe me ESPN nëpërmjet promotorëve të tij të lartë Top Rank.

Ndërkohë, Wilder mbetet një agjent i lirë sa i përket të drejtave të transmetimit. Ndeshjet e tij transmetohen aktualisht nga pay-per-view Showtimem, ndërsa pak ditë më parë refuzoi një kontratë me gjigantin DAZN.