Rama: Dy ndeshje në vapë me Kukësin, nuk na duheshin

Fillimisht në Superkupën e Shqipërisë që do të zhvillohet në datën 18 gusht dhe më pas për kampionatin. Shorti i hedhur nga FSHF i ka vendosur përballë njëri-tjetrit dy rivalët për titull që në javën e parë. I intervistuar pas hedhjes së shortit drejtori i përgjithshëm i të kuqve Olsi Rama theksoi vështirësitë e përballjeve me verilindorët ndërsa foli edhe për merkaton e Partizanit dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

 

“Kukësi në javën e parë? Nisim më datë 18 me Superkupën, dy ndeshje me të njëjtin ekip, sidomos në vapën e verës nuk janë asnjëherë të dëshiruara, por ky është kampionati. Ky është shorti. Ne do të bëjmë ndeshjet tona. Kemi dy ndeshje jashtë fushe dhe shikoj ndeshjen e fundit i bie në Korçë.

Merkato? Skuadra është gati, kemi shumë elementë. Kemi forcuar ekipin aty ku ka pasur vështirësi. Besoj se stafi teknik po bën një përgatitje specifike, pasi vet Kupat e Europës, nuk të lejojnë të bësh një fazë përgatitore siç janë tamam për të marrë ngarkesën e duhur, për arsye se duhet të jesh në formë për ndeshjet. Tani është kohë  e shkurtër për të bërë një mini stage që lojtarët të kenë mundësi për të qenë në freskinë e duhur për kampionatin.

Kupat e Europës ndihmojnë sepse janë ndeshje të forta, që tregojnë mangësitë edhe forcën e skuadrës, por nuk të ndihmojnë shumë për të programuar një kampionat sepse fazën përgatitore nuk e bën me komoditetin e një ekipi që do përgatitet për një kampionat të gjatë. Megjithatë, e kemi pasur parasysh që në fillim dhe kemi bërë një përgatitje specifike që mundësisht të mos i ngarkojmë shumë lojtarët për ndeshjet e Kupave, por të kemi mundësinë që të bëjmë edhe këto dy javë”, tha Rama.