Koncesioni i Sarandës dhe politika kriminale e qeverisë me jahtet e miliarderëve

Nga Klodian Tomorri

Qeveria, e cila sot thotë se po bën luftë me informalitetin, ka instaluar në Shqipëri një nga sistemet më të padrejta të taksimit në planet. Kjo e jona është qeveria e vetme në botë, që takson hallin, por jo luksin.

Mjafton vetëm një shembull për ta ilustruar. Akciza e naftës. Shqipëria takson me akcizë 35 lekë (të reja) çdo litër naftë, që përdorin ambulancat me të sëmurë.

Takson me 35 lekë për litër, çdo litër naftë që përdorin fermerët për të prodhuar, çdo litër naftë që përdoret për ngrohje apo transport nga të pasur dhe të varfër.

Por ka një kategori, që qeveria shqiptare ja u jep naftën pa taksa. Këta janë miliarderët, që kanë jahte. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë.

Karburanti me të cilin furnizohen jahtet në Shqipëri e ka akcizën zero. Nuk paguan asnjë lekë.

Kjo është arsyeja, se pse në brigjet e Shqipërisë duken shpesh jahte të mëdha pasanikëve europiane apo dhe atyre rus.

Sepse jemi i vetmi vend në botë, që ja u japim naftën pa akcizës. Sepse jemi i vetmi vend në botë, që taksojmë sëmundjen, taksojmë bukën e gojës, por jo luksin.

Para dy vjetësh erdhi super jahti i një miliarderi rus në Sarandë. Erdhi vetëm për t’u furnizuar me karburant sepse po ta furnizonte në Greqi, Itali apo në Mal të Zi do të paguante 50 deri në 100 mijë euro me shumë vetëm për një mbushje.

Shumica e jahteve mund të marrin, deri në 100 mijë litra karburant me një mbushje. Pra sa herë që një miliarder vjen e furnizon jahtin me karburant në Shqipëri, qeveria jonë i fal 30 mijë euro.

Nuk i fal lekët e veta, por paratë e popullit më të varfër të Europës.

E dini pse bëhet kjo? Po të pyesësh qeverinë thotë, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe turizmin.

Por është gënjeshtër e poshtër. Asgjë nuk fiton ekonomia dhe turizmi nga jahtet, që vijnë e marrin karburant në bregdet. Vetëm ndotet deti.

E gjitha bëhet, për një arsye tjetër. Që të fitojnë leke oligarkët dhe tregtarët e karburanteve.

Deri dje ishte Dulaku, që kishte portin e jahteve në Sarandë dhe vuri taksë private. E hoqën se po ja bëjnë gati një tjetri më të fuqishëm. Ja ka kopsitur letrat Ministria e Infrastrukturës, vetëm emrin nuk i ka vënë te kriteret e tenderit.

Do ketë koncesion 35 vjeçar për portin e jahteve në Sarande dhe me një gurë, vriten dy zogj. Do grabitet toka publike, në gjirin më të virgjër të bregdetit europian.

Sepse për fat, atë zone atje deri tani e ka patur ushtria dhe nuk ka lejuar asnjë ndërtim. Nga ana tjetër do instalohet koncesioni 35 vjeçar, për të furnizuar jahtet e miliarderëve me karburant pa taksa.

Ja kjo është vendimmarrja kriminale.