Task Forca për sezonin turistik, Ministrat monitorojnë ndërhyrjen për lirimin e plazheve

Task Forca vijon aksionet në zonat bregdetare për lirimin e hapësirave të zaptuara dhe abuzimin me çmimet.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj së bashku me Ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi kanë dalë në terren për të vëzhguar nga afër situatën.

“Task Forca për mbarëvajtjen e sezonit turistik vazhdon monitorimin e të gjithë bregdetit nga Himara në Sarandë, për të mos lejuar abuzuesit të përfitojnë në dëm të pushuesve vendas apo të huaj. Bashkë me Ministrin Çuçi monitoruam nga afër ndërhyrjen e policisë për lirimin e plazhit të Gjipesë nga çadrat dhe shezlonët e vendosur pa leje”- është shprehur në ‘Facebook’ ministrja Denaj.

Ndërsa ministri Bledi Çuçi u shpreh se ky plazh i mrekullueshëm do të jetë i gjithë në dispozicion të pushuesve.