Për Ramën, gjithmonë fajin e kanë të tjerët!

Nga Klajda Gjosha

Gjithmonë fajin e kanë të tjerët! Kjo është motoja dhe vizioni me të cilën ne qeverisemi sot.

Edhe pse të gjitha pushtetet janë në duart e Kryeministrit, edhe pse ka një përgjegjësi madhore në krizën Kushtetuese dhe institucionale në të cilën ndodhet vendi, edhe pse është kreu i ekzekutivit dhe mban mbi supe përgjegjësinë për mospërmbushjen e asnjë kushti për procesin e integrimit europian të vendit, sërish fajin e ka Europa! Kjo ka qënë kryefjala e intervistës që ka dhënë Kryeministri për Euronews!

Dhe sikur të mos mjaftonte faji i hedhur diku tjetër, strategjia vazhdon me kërcënimin e faktorëve të tretë mbi Shqipërinë, në rast se BE nuk cel negociatat me Shqipërinë!

Nuk e di nëse do të ishte e mundur, që një herë të vetme politika jonë të rritej në lartësinë e duhur për t’i dalë zot fateve të vendit?
Proçesi i integrimit është aq sa teknik, po aq edhe politik. Është procesi ku ndërthuret vizioni qeverisës, vullneti për reforma reale, aftësia për të përballuar sfidat e modernizimit dhe reformimit, zbatimi me përpikmëri i ligjeve, por edhe aftësia për të vënë në punë dipllomacinë dhe marrëdhëniet mes shteteve fqinje dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtar. Sot cdo qytetar i thjeshtë e kupton se qeveria Rama ka dështuar në cdo hap të procesit. Kjo është e prekshme në jetën e përditshme dhe në trishtimin dhe humjen e shpresës nga cdokush!

Celja e negociatave do të jetë e mundur vetëm në momentin kur Shqipëria të ketë përfaqësues të përgjegjshëm politik, të maturuar, që njohin dialogun dhe zgjidhjen e krizave! Shqipëria ka nevojë për bazën e demokracisë që janë zgjedhjet e lira, që i japin mundësi cdo qytetari të Republikës së Shqipërisë të zgjedhë. Kjo është kyce për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Tetori është muaji vendimtar për këtë dhe unë uroj që deri atëherë, t’i japim fund drejtimit të gishtit tek faktorët e jashtëm, dhe të shohim në sy realitetin e brendshëm, nga ku duhet të nisë cdo ndryshim!