Nesër paradite hidhet shorti, konfirmohen 10 ekipet për Kategorinë Superiore

Nesër paradite hidhet shorti, konfirmohen 10 ekipet për Kategorinë Superiore

Kategoria Superiore 2019-2020 nesër do të nisë rrugëtimin e saj, kur në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, këtë të shtunë, në orën 11:00, do të hidhet edhe shorti për kalendarin e sezonit të ri.

Nuk ka surpriza, në short do të jenë të gjitha skuadrat e paracaktuara si pjesë e kampionatit elitar të futbollit në vend dhe ky, në fakt, është lajmi i madh. Një sinjal konfirmimi se Tirana, Vllaznia, Flamurtari e Luftëtari, që para pak javësh u treguan nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit si më problematiket për pajisjen me licencë, do të jenë pjesë e kampionatit.

Të katër klubet në fjalë vuajnë probleme financiare, edhe pse të dimensioneve e karakteristikave të ndryshme. Për Tiranën dhe Vllazninë bëhet fjalë kryesisht për detyrime të prapambetura ndaj organeve tatimore dhe situata e tyre shihej më e lehtë, ndërkohë që te Flamurtari dhe Luftëtari situata është me e rëndë, si dy skuadra që vuajnë një sërë borxhesh edhe me ish-lojtarë e madje të akumuluara ndjeshëm edhe në sezonin që lamë pas.

Fakti që të katërta skuadrat do të jenë në short, do të thotë se Tirana, Vllaznia, Flamurtari e Luftëtari janë pajisur me licencë, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar.