Lukaku i “vjedh” 9-n Icardit dhe i thur elozhe Contes: Më i miri në botë!

Interi heq fanellën me numrin 9 nga Mauro Icardi dhe ia dorëzon atë të porsaardhurit Romelu Lukaku. Një vendim i marrë zyrtarisht nga klubi në rrjetet sociale në orën 9 të mëngjesit të 9 gushtit, i shoqëruar edhe me fotografin e futbollistit belg që mban të veshur fanellën e re.

 

Ish-sulmuesi i Manchester United ka thënë edhe fjalët e para si zikaltër në një intervistë që ka dhënë për kanalin e klubit. Ai nuk i ka kursyer elozhet për trajnerin Antonio Conte duke e vlerësuar si më të mirin në botë.

“Ai ka pasur një ndikim të madh në zgjedhjen për të ardhur tek Interi. Është trajneri më i mirë në botë, arrin të marrë më të mirën nga futbollistët dhe karriera e tij flet qartë”.

Lukaku ka sqaruar se zgjedhja e Interit erdhi edhe për shkak të projektit: “Mendoj se Interi po shkon në drejtimin e duhur, dhe unë kisha nevojë për një sfidë të re. Dua të ndihmoj këtë skuadër për të bërë diçka të rëndësishme dhe këtu janë bazat për të bërë mirë. Do ta ndihmoj skuadrën me impenjimin tim dhe vullnetin e madh. I mbajmë këmbët në tokë, por shpresoj që të arrijmë rezultate të mëdha në fund të sezoni”.

Lukaku falënderoi dhe presidentin Steven Zhang dhe Beppe Marotën për besimin.