“Kufijtë nuk preken”, Veseli, ushtarëve: Kosova ndihet më e sigurt

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli tha sot në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës se Kosova nuk cënon askënd, por nuk do të lejojë që askush të sillet ndryshe me të.

Sipas Veselit, integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit janë të shenjtë, të paprekshëm dhe kështu do të jenë përgjithmonë. Para kadetëve të rinj, kryeparlamentari Veseli e konsideroi ditën e sotme ditë krenarie për të gjithë, ndërsa të qenit pjesëtarë të ushtrisë më të re në botë, ai e cilësoi privilegj për të cilin do të kenë lakmi gjeneratat që do të vijnë pas.

“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurt në të tashmen dhe të ardhmen e saj”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se Kosova po ndërton një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit tonë, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur e sovran i Kosovës dhe vizionin tonë për të marrë vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore.

“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit e profesionalizimit të saj, për tu bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se ka një ëndërr për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar, e të begatshëm për të gjithë qytetarët e saj.

“Ne do t’ia dalim, siç ia kemi dalë gjithmonë. Kosova ka veç një rrugë: rrugën përpara, zhvillim ekonomik, fuqizim të shtetit, integrim në NATO dhe BE. S’ka rrugë tjetër dhe s’do ta lejojmë askënd të na orientojë tjetërkah”, theksoi Veseli.