Në “kafazin e artë” me Neymar, Pogba, Coutinho dhe Bale

Jemi në orët e fundit të merkato së transferimeve në Angli që do të mbyllet të enjten në orën 18:00, ndërkohë që në kampionatet e tjera mbeten edhe më pak se një muaj. Situata e disa prej yjeve si Neymar, Coutinho, Bale dhe Pogba mbetet e komplikuar. Klubet e tyre respektive: PSG, Barcelona, Real Madrid dhe Manchester United, refuzojnë që t’i shesin pa një ndonjë ofertë të arsyeshme.

Neymar

Pas një sezoni për t’u harruar futbollisti brazilian i Paris Saint-Germain ka pësuar shumë dëmtime dhe disa probleme të tjera jashtë fushave. Ai këmbëngul për t’u rikthyer në Spanjë te Barcelona, por klubi brazilian nuk ka ndërmend që ta lërë të lirë. Lidhja e Neymar me klubin blaugrana është shumë e fortë dhe po punohet për një transferim të mundshëm, por tashmë asgjë nuk është në dorën e tij. Kërkesa prej 300 milionë eurosh e PSG-së e bën thuajse të pamundur këtë operacion. Ai është gati që të heqë dorë nga miliona euro të pagës së tij që shkon në 34 milionë euro, vetëm e vetëm që të luajë sërish me Messin.

Neymar durante la pretemporada con el PSG

Paul Pogba

Në të njëjtën situatë është edhe futbollisti francez. Manchester United nuk ka ndërmend që ta lërë të lirë Pogba-n edhe pse ky i fundit në fakt ka kërkuar që të largohet. Trajneri norvegjez, Solskjaer ka shprehur dëshirën që ai të qëndrojë në Manchester. Real Madrid po shfaq interes të madh për të, por kërkesa prej 150 milionë eurosh, e bën një operacion shumë të vështirë për t’u realizuar. Zinedine Zidane e kërkon me çdo kusht në Bernabeo, por do të jetë një operacion i komplikuar pasi United nuk po arrin që të mbyllë marrëveshjen me Eriksen që duhet të ishte zëvendësuesi i francezit.

Coutinho

Disi më ndryshe është situata për futbollistin e Barcelonës. Fituesi i Kupës së Amerikës e ka pranuar se me Brazilin luan më mirë se te katalanasit, por ai nuk kërkon që të largohet. Klubi ndërkohë i ka komunikuar se është pjesë e planeve të Valverdes, por lëvizjet janë ndryshe, teksa u është ofruar disa skuadrave angleze. Vlera prej 150 milionë eurosh e investuar nga Barcelona për blerjen e kartonit nga Liverpooli duket e vështirë që të rikthehet sërish, pasi në rastin më të mirë do të huazohet me të drejt blerje te Arsenali ose Tottenham. Asnjë klub nuk dëshiron që të investojë më shumë se 100 milionë euro për brazilianin për momentin dhe në këtë rast blaugranët nuk duan të nxitohen.

Gareth Bale

Futbollisti uellsian është në situatë më të komplikuar. Ai është në një situatë të ngjashme me Coutinhon, klubi dëshiron ta shesë, por ai nuk pranon të largohet. Zidane ja ka bërë të qartë që nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin e ri, por kjo nuk e ka demotivuar aspak, pasi ai është i vendosur që të qëndrojë. Uellsiani refuzoi një ofertë shumë të mirë financiare nga Kina për arsye familjare, teksa nuk përjashtohet mundësia që Fiorentino Perez ta lërë të lirë edhe falas. Kërkesa prej 90 milionë eurosh, duket e tepërt, pasi Bayern Munich edhe pse është i gatshëm për një lëvizje të tillë nuk ka ndërmend që të bëjë një çmenduri. Bale përfiton 17 milionë euro në sezon, një shifër që nuk ia ofron asnjë klub tjetër. /Rozalb Lika-Koha Jone/

Bale en un partido de pretemporada con el Madrid