Kryeministrit, e keqja do t’i vijë nga Teatri Kombetar

Kryeministri Rama ia ka dalë deri më tani të sfidojë gjithçka që i ka dalë përpara, përjashtuar Presidentin dhe Teatrin Kombëtar. Në mënyrë të padrejtë dhe jo ligjore, porse duhet pranuar se Rama ka marrë gjithçka. Edhe për fajin se opozita nuk u tregua radikale përballë një pushteti antipopullor.

Me presidentin, beteja e Ramës, duket e humbur për Edi Ramën, ndërsa vazhdon fort dueli mes tij dhe mbështetësve të Teatrit Kombëtar. Së fundi artistët dhe ata që janë me ta (që mbeten në shumicë) e bënë qeverinë që të tërhiqet, momentalisht. Tashmë, natë për natë, Teatri Kombëtar është kthyer në fole të shpirtit antiRama, ku luhen drama apo komedi e ku njerëzit janë bashkuar si kurrë me parë në mbrojtjen e kësaj vlere kombëtare. Dihet dueli mes qeverisë dhe artistëve që mbrojnë Teatrin si vlerë, si histori dhe si vend ku mund të luhen prapë drama apo komeditë e mëdha artistike. Por nëse deri pardje qeveria ia kishte dalë, deri diku, të krijonte një grup aktorësh që të ishin pro shembjes se godinës së Teatrit Kombëtar, por nga dje rrethi i Aleancës pro Teatrit ka kaluar kufirin shqiptar. Nga Vjena (Austri) ka dalë një peticion drejtuar qeverisë austriake dhe asaj europiane në mbrojtje të kësaj vlere artistike e historike kombëtare shqiptare.

Ka firmosur dhe nobelistja e njohur austriake Elfriede Jelinek.

Ja letra e tyre drejtuar institucionëve ndërkombëtare:

Koleget dhe kolegët në Tiranë kanë nevojë urgjente për mbështetjen tonë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e politikës europiane, ata kanë nevojë për mbështetjen e politikaneve e politikanëve austriakë që mbështesin hyrjen e Shqipërisë në BE. Lufta e shoqërisë civile kundër shpërdorimit të pasurive publike përballë investuesve privatë dhe kundër shitjes së kulturës teatrore shqiptare meriton solidaritetin tonë të pakufishëm. U bëjmë apel grupeve të personave të adresuar si më lart të mbështesin fuqishëm qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë kundër sakrifikimit të interesit publik përballë interesave të investuesve dhe politikanëve të gatshëm të bashkëpunojnë me ta.

Ndihmoni edhe ju, jepni edhe ju kontributin tuaj që Teatri Kombëtar në Tiranë të mos shembet. Shfrytëzoni kontaktet tuaja, siguroni vëmendje dhe mbështesni njerëzit e artit dhe kulturës në Shqipëri në luftën e tyre për mbajtjen në këmbë të Teatrit Kombëtar, kudo e kurdo që keni mundësi ta bëni.

Nënshkruar:

Gerhard Ruiss, Përfaqësues i Komunitetit të Autorëve, Republika e Austrisë

Gabu Heindl, Arkitekte

Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (ITI) Republika Federale e Gjermanisë

Elfriede Jelinek, Shkrimtare

Händl Klaus, Shkrimtar

Uëe Mattheiß, Gazetar

Sabine Mitterecker, Regjisore

Mjafton kjo letër e këtyre personalitetëve për të kuptuar se kryeministri do ketë përballë edhe artistët europianë kundër tij përsa i përket çështjes së Teatrit. Dhe nëse vendos ta rrëzojë godinën këto ditë të gushtit ai do të sjellë reaksion zinxhir popullor, duke mos lenë mënjanë reagimin europian për artistët shqiptarë.

E keqja do t’i vijë kryeministrit nga ky Teatër!

Alban Mati