Zëdhënësi i Presidentit: Balla i shqetësuar për projektligjin që do kthehet nesër

Presidenti Ilir Meta riktheu për shqyrtim në Kuvend ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal, me argumentin se janë vërejtur disa çështje të cilat mund të shkaktojnë rrezik për qytetarët dhe për shoqërinë, vendim që u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla.

Lidhur me akuzat e Ballës, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, përmes një postimi në facebook, thotë se ky i fundit është i shqetësuar për një projektligj që është kthyer dhe se do të publikohet nesër. Ai akuzon se Balla ka bllokuar prej dy vitesh Gjykatën Kushtetuese dhe se ka marrë në drejtimin opozitën e re. Sipas tij, Presidenti i ka vlerësuar qëllimet pozitive të ligjit në parim.

”Në kushtet kur Tao Tao drejton opozitën në Parlament dhe kur Tao Taot kanë bllokuar prej dy vitesh Gjykatën Kushtetuese, është detyrë e Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj, me qëllim përmirësimin e tyre si në rastin konkret. Por halli kryesor i Tao Taove nuk është ky projektligj, por projekligji tjetër që është kthyer dhe që do publikohet nesër”,-shkruan Blushi.

Postimi i plotë i Tedi Blushit:

Që t’i dhimbsen policët Tao Taos, kjo është një shaka që përmbys së qeshuri të gjithë pushuesit në plazh, të cilët e dinë veprimtarinë e tij plot bëma kundër ligjit dhe në shërbim të të fortëve.

Presidenti i ka vlerësuar qëllimet pozitive të ligjit në parim, por i ka rikthyer ndryshimet e propozuara në Kodin Penal për t’u bërë përmirësimet e domosdoshme për zbatim efikas.
Në kushtet kur Tao Tao drejton opozitën në Parlament dhe kur Tao Taot kanë bllokuar prej dy vitesh Gjykatën Kushtetuese, është detyrë e Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj, me qëllim përmirësimin e tyre si në rastin konkret. Por halli kryesor i Tao Taove nuk është ky projektligj, por projekligji tjetër që është kthyer dhe që do publikohet nesër.

Pakica që nuk njeh rotacion, jo vetëm që nuk ia prish pushimet malore Presidentit me kërcënimet e saj të lodhura, por e frymëzon për të ngjitur maja më të larta në ditët që vijnë. Ndërsa përsa i takon shtatorit, Presidenti është besimplotë se do ta gjejë në Majën më të lartë, atë të Korabit.