Edhe Kosova në zgjedhje, por vetëm kryeministri Rama nuk pranon!

-Leksioni që vjen nga Prishtina për kryeministrin Rama është se kur në Kosovë shkojnë në zgjedhje të parakohshme vetëm se Haradinaj dha dorëheqjen për t’u paraqitur në Hagë për një akuzë idiote, kurse në Shqipëri duhet të shkohet urgjent në zgjedhje, pasi kryeministri ka marrë të gjitha pushtetet dhe opozita politike është në rrugë.

Sa herë ka kriza politike në një vend shkohet direkt në zgjedhje të parakohshme politike. Kështu ka ndodhur në krejt Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Serbia ka shkuar, Mal Zi po, Maqedonia disa herë, Greqia sapo mbaroi zgjedhjet e parakohshme. Kosova vendosi dje të shkojë për të testuar klasën politike në zgjedhje të parakohshme. Ndërsa vetëm në Shqipëri nuk pranon Edi Rama. Situata në Tiranë mbetet më e rrezikshme për demokracinë në krejt Rajonin e Ballkanit, pasi kryeministri ka uzurpuar gjithë pushtetet, përveç atij presidencial. Bile edhe presidentin po orvatet ta shkarkojë me akuza idiote me një Ylsi Manja. Ndërkohë që në shtetet e Rajonit kanë shkuar apo shkojnë në zgjedhje të parakohshme edhe për gjëra më të vogla se sa ka Shqipëria, këtu në Tiranë as që duket se kryeministri do të pranojë zgjedhje.

Dje Kosova vendosi të shpërndajë parlamentin me 22 gusht duke shkuar në zgjedhje të parakohshme. Klasa politike në Prishtinë tregohet më e kulturuar dhe patriote kur flitet për shtetin e saj, Kosovën, në raport me Tiranën zyrtare. Kryeministri Rama në vend që të mos bënte zgjedhje partiake lokale, ai i zhvilloi dhe po merr 100 % të bashkive, si dikur në komunizëm. Parlamenti është kthyer në një “Pazar Miloti” të gjesë së gjallë dhe të vjen turp kur shikon parlamentin shqiptar se si ka degraduar. Korrupsioni dhe koncensionet me oligarkët janë tregues i rrezikut që i kanoset vendit, duke e kthyer pushtetin në një pushtet të oligarkëve dhe të njerëzve të krimit që blen vota për pushtetin. E vertetoi BILD, ku doli në publik gjithë maskarada elektorale e PS-së duke futur krimin në blerje votash dhe asnjë reagim për t’iu drejtuar drejtësisë dhe popullit për votime. Nëse kryeministri Rama do të kishte sadopak shpirt demokratik duhej ti drejtohej popullit në zgjedhje të parakohshme sapo opozita dorëzoi mandatet e deputetit. Kjo do të ishte demokraci dhe test në popull se kush ka të drejtë në këtë rast. Por nuk pranon akoma ti drejtohet kutive të votimit politik me një qeveri zgjedhore, të pavarur nga partitë. Dhe nëse fitonte atëhere Rama kishte të drejtë të thoshte se opozita nuk ka alternativë dhe se derisa të jetë gati për pushtet do jem unë kryeministri i vendit. Edi Rama mund të justifikohet se kam votat, por këto vota dolën si te BILD, të blera nga krimi. Edhe për këtë fakt një kryeministër duhej të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Por qeveria po kthehet përditë në qeveri e oligarkëve. Ata po marrin gjithçka, ndaj edhe për këtë duhet që populli të shkojë në kutitë e votimit. Nëse populli me votë don këtë qeveri oligarkësh dhe të akuzuar fort për blerje votash me bandat kriminale, atëhere ta gëzojë! Por sondazhet reale tregojnë se nuk i  ka votat më kryeministri e prandaj ka frikë të shkojë në votime para Sovranit.

Ish-kryeministri grek Tsipras e çoi popullin në votime të parakohshme vetëm se mori më pak eurodeputetë në parlamentin europian, ndonëse në Greqi votën popullore ai e kishte marrë pa blerje votash nga krimi. Dhe shkoi në votime politike. Edhe humbi! Por demokracia vazhdon të mbretërojë në Athinë e jo si këtu në Tiranë.

Leksioni që vjen nga Prishtina për kryeministrin Rama është se kur në Kosovë shkojnë në zgjedhje të parakohshme vetëm se Haradinaj dha dorëheqjen për t’u paraqitur në Hagë për një akuzë idiote, kurse në Shqipëri duhet të shkohet urgjent në zgjedhje, pasi kryeministri ka marrë të gjitha pushtetet dhe opozita politike është në rrugë./Alban Mati/