Mehmetaj: Anëtarët e KQZ do mbajnë përgjegjësi penale, e vetmja datë ligjore për zgjedhjet, 13 tetori

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ishte e ftuar ditën e sotme në televizonin Fax News, ku foli për aktualitetin politik në vend.

E pyetur mbi kërkesën e dërguar nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim për regjistrimin në zgjedhjet e 13 tetorit dhe refuzimin e saj nga ana e KQZ-së, Mehmetaj u shpreh se i vetmi dekret në fuqi është ai i Presidentit për këtë datë zgjedhjesh dhe KQZ prej kohësh duhet të kishte hapur mundësinë për regjistrimin  e partive politike për zgjedhjet e 13 tetorit.

Gjithashtu Mehmetaj duke komentuar se ku ndryshon 13 tetori nga 30 qershori, u shpreh se 13 tetori është e vetmja datë ligjore e dekretuar nga Presidenti dhe se ka të bëjë më shumë me çështjen e standardeve të zgjedhjeve sesa datën e tyre.

“Padyshim ka një krizë besimi  ndaj politikës në përgjithësi. Opozita i ka marrë të gjithë përgjegjësitë e saj sa i takon forcimit të besimit të qytetarëve kundrejt politikës, qeverisjes së vendit, qoftë në nivel lokal , qoftë edhe në nivel qendror. Duke marrë atë pjesë të përgjegjësisë që është e jona por në asnjë rast nuk mund të themi që qytetarët, as që dhe gjithë 85% është me opozitën por nga ana tjetër as që inati i qytetarëve është me opozitën.”- theksoi Mehmetaj.

Pjesë nga intervista e Nënkryetares së LSI-së, Kejdi Mehmetaj për Fax News

Sot është afati i fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ. Ju keni dërguar kërkesën sot në mëngjes, çfarë masash do të merrni duke qenë se KQZ refuzon t’ju regjistrojë? 

Në fakt KQZ ka pasur disa detyra, prej kohësh duhet të ishte hapur mundësia për partitë politike për tu regjistruar për zgjedhjet e ligjshme të 13 tetorit, duhet tu rikujtojmë qytetarëve që na dëgjojnë se i vetmi dekret në fuqi i Presidentit i cili flet për zgjedhje lokale është ai për datën 13 tetor dhe sipas detyrave që i ngarkon ligji KQZ duhet të ishte gati për të pritur partitë politike për tu regjistruar dhe për të vazhduar pastaj me hapat e tjerë, pranimin e anëtarëve të KZAZ dhe kështu me radhë në mënyrë që data 13 tetor të ishte një datë e mundshme për të konkurruar për zgjedhjet lokale. Ndaj dhe LSI, duke qenë se sot ka qenë dita e fundit, ka dorëzuar një tjetër kërkesë zyrtare në KQZ për tu pranuar si parti që kandidon për zgjedhjet lokale. Nga ana tjetër të njëjtin hap kanë ndërmarrë edhe Partia Republikane dhe parti të tjera të frontit opozitar. Në mos gaboj edhe partitë të tjera të frontit opozitar dhe përveç kësaj, KQZ-ja ka pasur detyrimin të shqyrtojë në një mbledhje kërkesën e ardhur nga opozita për zgjedhjet e 13 tetorit ose për vazhdimin e punës le të themi për sjelljen e 13 tetorit. Mbledhje në të cilën nuk morën pjesë anëtarët ose le të themi, grupi socialist, grupi rilindas brenda KQZ-së duke mos bërë të mundur formimin e kuorumit për vazhdimin e mbledhjes. Dhe këto janë sjellje të tjera ligjore të cilat po bënë organizata socialiste brenda KQZ-së, për të cilat ne kemi thënë në vazhdën edhe të hapave të paligjshëm që morën për datën 30 qershor. Ata do të mbajnë përgjegjësi penale dhe unë sinqerisht u bëjë thirrje të mos mendojnë vetëm për veten e tyre, por dhe për njerëzit që ata i rrethojnë sepse sado të vonojë drejtësia, ajo nuk do të jetë përherë në duart e Edi Ramës dhe ata nuk do të kenë një mbrojtje të përjetshme. Ndaj të jenë të kujdesshëm pasi pasojat e akteve që ata po marrin, do të bien drejtpërdrejtë si akte penale dhe si dënim ndaj tyre në të ardhmen.

Sipas opozitës 85% e shqiptarëve nuk shkuan në votime dhe refuzuan Ramën si kryeministër, mendoni se shqiptarët janë realisht në krah të opozitës apo kemi një zhgënjim nga klasa politike?

Nuk e thotë opozita që më shumë se 85% e shqiptarëve nuk morën pjesë në votime. Këtë e dinë gjithë shqiptarët. Të gjithë e pamë se çfarë ndodhi në 30 qershor dhe madje ndoshta do duhet bërë një statistikë për këtë gjë, por kam përshtypjen që krahasuar edhe me gjithë ditët që erdhën pas 30 qershori mund të jetë dita ku ka pasur më tepër punë jugu edhe  gjithë zona bregdetare e Shqipërisë edhe pse vera nuk ka mbaruar sepse neveria e shqiptareve ndaj asaj që po ndodhte në 30 qershor i bëri që ata te iknin dhe nga zonat e banimit edhe të injoronin atë farse që mbajti PS. Padyshim ka një krizë besimi  ndaj politikës në përgjithësi. Opozita i ka marrë të gjithë përgjegjësitë e saj sa i takon forcimit të besimit të qytetarëve kundrejt politikës, qeverisjes së vendit, qoftë në nivel lokal , qoftë edhe në nivel qendror. Duke marrë atë pjesë të përgjegjësisë që është e jona por në asnjë rast nuk mund të themi që qytetarët, as që dhe gjithë 85% është me opozitën por nga ana tjetër as që inati i qytetarëve është me opozitën

Si do të vijojë aksioni opozitar?

Ne jemi çdo ditë në punë, çdo ditë me një hap në vazhdim të aksionit dhe planit që ne kemi ndërtuar. E para dhe më e rëndësishmja ndër të gjitha është bashkëpunimi i drejtpërdrejt që ne kemi me qytetarët, që çdo vendimmarrje vjen  pas konsultimit me ta.  Ne presim që të kemi një përgjigje nga KQZ lidhur me sesi do të vazhdojë procesi për 13 tetorin dhe pastaj ditë pas dite do të njihen edhe mediat me ecurinë edhe me të gjithë hapat që ne do të ndërmarrim.

Ku ndryshon 13 qershori nga 13 tetori, kur asnjë nga kushtet që ju kërkuat nuk është plotësuar?

Ndryshon në atë që është thelbësore mendoj unë. Është që 30 qershori do të duhej të ishte nj ditë e zakonshme për shqiptarët, pa asnjë ngjarje politike dhe aq më pak zgjedhore, ndërkohë që 13 tetori është e vetmja datë e dekretuar nga Presidenti për të mbajtur zgjedhjet lokale dhe siç e thashë për t’i dhënë bashkive këshilla të rinj bashkiakë, të zgjedhur të rinj qoftë si këshilltarë bashkiakë apo si administratorë të rinj qyteti, si kryetarë bashkish. 30 qershori ishte një ditë e zakonshme, pa asnjë ngarkesë ligjore pas saj, ndërkohë që 13 tetori ka të gjitha ngarkesat sa i takon ndjekjes hap pas hapi të legjislacionit shqiptar, duke filluar nga ligji zgjedhor, me Kodin e Presidentit, me Kushtetutën që është edhe grupi më i rëndësishëm i ligjeve të cilët të gjithë qytetarët shqiptarë qoftë kryeministër, qoftë një qytetar i thjeshtë do të duhet që të zbatojnë. Kjo është e para, është alfa e gjësë. Pastaj pa dyshim ne e kemi thënë se zgjedhjet do të duhet, që kurdo që ato të mbahen, sepse nuk është thjesht një çështje date, është mbi të gjitha çështje standardesh, do të duhet të jenë zgjedhje që të respektojnë votën e lirë të qytetarëve, ku të mos jetë i angazhuar krimi i organizuar, pa diskutim shit blerja e votës, presioni i administratës publike e kështu me radhë.

Unë besoj që garantimi i standardeve të zgjedhjeve është mbi të gjitha çështje vullneti. Nuk është as çështje kohe, as çështje date. Nëse do të kemi vullnetin që të mbajmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa dyshim që i kemi të gjitha mundësitë që t’i mbajmë këto zgjedhje më 13 tetor, sidomos duke marrë parasysh faktin që pak ditë pas 13 tetorit, për Shqipërinë do të merret një vendim shumë i rëndësishëm, siç është ai i hapjes së negociatave. Për hir të hapjes së negociatave dhe për të ndjekur më tej rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian, e gjithë klasa politike ka detyrën jo vetëm morale, por edhe detyrën po them që na ngarkon votëbesimi që secili prej nesh ka marrë sado pak apo shumë, kurdo që ka hyrë në zgjedhje në Shqipëri, për t’iu përgjigjur shqiptarëve dhe për të mbajtur një proces dinjitoz. I pari padyshim që nuk do as integrimin, as zhvillimin ekonomik, as zhvillimin social të vendit dhe nuk as zgjedhje të lira dhe të ndershme është Edi Rama. Ndaj dhe ne themi që sot vendi është në një krizë të thellë politike, sociale dhe ekonomike. politike, sociale dhe ekonomike.