332 bilbilfryrës për korrupsionin në administratë

Përveç SPAK që pritet të godasë zyrtarët e korruptuar, edhe qytetarët parashikohet të përfshihen si partnerët më të mirë të super-prokurorëve të posaçëm. Ligji i bibilfryrësve i hyrë në fuqi në të njëjtën kohë kur u miratua edhe paketa e reformës në drejtësi lë hapësirë të konsiderueshme për publikun që të sinjalizojë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës jo vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat.

Deri më tani në çdo institucion shtetëror janë ngritur në total 166 njësi përgjegjëse tek të cilat çdo punonjës i administratës mund të sinjalizojë rastet e korrupsionit të kolegëve apo eprorëve të tij. Në të gjitha institucionet IlDKPI deklaron se janë angazhuar 332 nëpunës shtetërorë të cilët janë të detyruar të mbajnë shënim sinjalizimin për veprimet e dyshuara të korrupsionit. Ky është formulari që pas paraqitjes vullnetarisht të një bilbilfryrësi, ai shqyrtohet menjëherë.

Në rast se nëpunësi që tregon shkeljet në institucionin ku punon i rrezikohet puna, atij i afrohet mbrojtje nga hakmarrja . Por avokatja Megi Zonja mendon se administrata stepet për të sinjalizuar praktikat e dyshimta. “Këta janë skeptikë sepse kanë frikë, cilat do jenë pasojat dhe a do i mbrojë ligji… Do sjell në vëmendje një rast që më erdhi në zyrë: ishte një zotëri i cili kishte marrë statusin e sinjalizuesve dhe brenda administratës së tij kishte vërejtur një shkelje, abuzim me detyrën.

Ai kërkonte interpretimin e ligjit pasi nuk ishte i qartë”, shpjegoi avokatja. Nga ana tjetër ILDKPI raporton se bilbilfryrësit kanë sinjalizuar raste të shpërdorimit të detyrës pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Insitutit të sigurimeve shoqërore dhe Autoritetit Portual Durrës, raste që me pas janë referuar në prokurori. Ndërkohë bilbilfryrës pretendojnë shkelje në dhënien e vendimeve gjyqësore dhe falsifikim dokumentash gjatë procesit. Nga ana tjetër në një raport vëzhgimi të Komitetit Shqiptar të Helsinkit u vu re se pavarësisht sinjalizimeve nëpër drejtori të ndryshme, asnjë nëpunës nuk ka guxuar të sinjalizojë në 11 ministri. /TCH/