Aplikimet për Shkollën Bazë të Policisë shtyhen deri me 15 gusht

Shtyhet deri në 15 gusht afati për aplikimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë e Përgjithshme”, për 500 vende.

Shtyrja e afatit sipas policisë është bërë nga kërkesat e shumta  të adresuara në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit dhe në Drejtoritë Vendore të Policisë nga qindra të rinj e të reja, të cilët kanë shprehur dëshirën për të konkurruar dhe bërë pjesë e Policisë, por për arsye të ndryshme nuk kanë mundur dot të plotësojnë gjithë dokumentacionin deri më datën 3 gusht.

Policia e Shtetit u vjen në ndihmë aplikantëve, të cilët dy prej dokumenteve të kërkuara, certifikatën familjare dhe dëshminë e penalitetit, do t’i marrin në zyrat e shërbimit për qytetarët.

Njëkohësisht të gjithë aplikantët që janë regjistruar në kursin për Leje Drejtimi, të paraqesin në dokumentet e kërkuara, vërtetimin që ndjekin këtë kurs, dhe në momentin që shpallen fitues në fazën e parë të konkurrimit, duhet të paraqesin Lejen e Drejtimit, në të kundërt skualifikohen dhe nuk  kanë të drejtë të vijojnë fazat e mëtejshme të konkurrimit.

Formulari dhe lista me dokumentet që duhet të plotësojnë aplikantët, tërhiqen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikantët kanë vendbanimin të regjistruar në Gjendjen Civile.

Ministria e Brendshme inkurajon aplikantët për një garë të ndershme bazuar në meritë.