”Tërheqja e Veliajt nga teatri, taktikë djallëzore”, Tupe: Rama ka humbur sigurinë

I ftuar pasditen e sotme në studion e FaxNews, për të folur për zhvillimet e fundit rreth Teatrit Kombëtar, ka qënë  shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Edmond Tupja. Duke e cilësuar idenë për shembjen e godinës së teatrit si të gabuar,Tupja shprehet se kjo ndërtes mbart gjithë historinë e vendit dhe se është një institucion muzeal.Sipas tij, historia e Shqipërisë nuk fillon në vitin 2013 ku në krye të qeverisë erdhi një qeveri nga radhët e Partisë Socialiste duke shtuar se kjo që po ndodh në vend është më tepër një ‘rivdekje’ sesa një ‘rilindje’.

Duke komentuar dhunën policore të ushtruar pak ditë më parë ndaj artistëve dhe qytetarëve të Tiranës, profesori Edmond Tupe  e konsideron një gjë të tillë si një taktikë djallëzore të kryeminitrit dhe luftë nervash në rrafshin psikologjik, që pret lodhjen e artistëve.

”Kjo është një taktikë djallëzore e cila po ndiqet.  Është një lojë e tillë dhe luftë nervash në rrafshin psikologjikë sepse qeveria dhe bashkia po shpresojnë se do të lodhen aktorët. Kishim mbetur një grusht, mirëpo tani falë sensibilizimit të njerëzve, me thirrjen më të vogël njerëzit vijnë direkt për mbrojtjen e kësaj godine.

Unë nuk jam profet, por atje ka militant të kulturës që janë gati të sakrifikojnë veten duke bërë grevë urie. Tashmë kryeministri Rama edhe kreu i bashkisë Veliaj e kanë ndjerë se Aleanca për Teatrin është e vendosur për të mbrojtur teatrin.”, shprehet Tupe.

Përsa i përket nënshkrimit të marrëveshjes me Bashën, i pyetur nëse kjo ishte një politizim të mundshëm të kauzës së teatrit, Tupe tha se një marrëveshje e tillë ka qenë e nevojshme për t’i shpëtuar zullumit të kreut të bashkisë Erjon Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, ”kjo marrëveshje e ka vënë në pozita kreun e qeverisë i cili tashmë nuk ndihet më i sigurt në vetvete.”

I pyetur për taktikën e tërheqjes të përdorur ditën e sotme nga kreu i bashkisë Erion Veliaj, i cili do të shprehej se ”shembja e Teatrit është e largët”, profesor Tupe tha se: ”kjo mund të jetë një taktikë për të vënë në gjumë palët dhe se çfarë nuk mund të presim nga qeveritarët tanë qoftë në rang qëndror qoftë në rang vendor.”

Sipas tij, ”ata e konceptojnë Tiranën dhe Shqipërinë si pronë të tyre, ndërsa kjo nuk është e tillë.” Për të treguar se Tirana dhe Shqipëria nuk janë pronë e shtetatrëve, duke perifrazuar një thënie të Gandit, Tupja shprehet se: ”Tiranën dhe Shqipërinë ne ua kemi marrë hua brezave që do vijnë. Kështu që ata do të na gjykojnë.”

Një gjuhë të ashpër e cila në një farë mënyre bënë thirrje për reflektim, ka përdorur profesori i njohur nga studio e FaxNews. Tupe shprehet se ndërkombëtarët nuk duhet të vënë stabilitetin mbi demokracinë pasi që një veprim i tillë sjellë instalimin e diktaturave. Ndërsa po ashtu, nuk ka nguruar t’ju drejtohet atyre me pyetjet: ”Flasin për vetting, por si mund të bëhesh aleat me djallin për të luftuar djallëzinë? Si mund të bëhesh aleat me të korruptuarit dhe të pasuruarit e këtij kombi për të luftuar korrupsionin?”

Sipas Profesorit Edmon Tupe, gjithë lëvizjet dhe taktikat e fundit të ndjekura nga kryeministri Rama, jo vetëm me çështjen e teatrit por edhe kauza të tjera, janë një përpjekje e madhe e tij për të ruajtur pushtetin, ndërsa iu bënë thirrje qytetarëve të ndershëm qoftë edhe atyre socialistë që t’i bashkohen Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kundër qeveritarëve, të cilët, sipas tij, për hirë të pushtetit janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe popullin e vetë.

‘Uroj me shpirt që teatri të mbijetojë dhe të luajë rolin e tij historik në Tiranë dhe Shqipëri.”, përmbyll intervistën e tij profesori Edmond Tupe.

Intervista e plotë në studio: 

Gjendja është shumë e tensionuar. Teatri është pjesa historike e çdo qyteti. Teatri ynë kombëtar mbart gjithë historinë e vendit dhe për mua është një institucion muzeal. Ka personazhe kulturor, historik, politik dhe artistik që kanë lënë gjurmet e tyre. Më pas specialistë duhet të flasin për restaurimin e tij, por që nuk duhet shembur. Ky teatër është një tregues i qartë i historisë dhe kulturës shqiptare, i cili tregon hapur vlerat që mbart vendi. Shqipëria nuk është një vend barinjsh, por që ka një histori dhe kjo duhet nxjerrë në pa pasi që historia e Shqipërisë nuk fillon në vitin 2013 ku në krye të qeverisë erdhi një qeveri nga radhët e Partisë Socialiste.

Profesor, a mendoni se kemi një plan për zhdukjen e Tiranës, duke nisur me Teatrin Kombëtar me sheshin Skënderbej apo edhe sekmente të tjera në kryeqytet?

Unë sapo e thashë që për shefin e qeverisë historia e artit shqiptar duhet të fillojë në vitin 2013, pra ‘Rilindja’. Ndoshta jam tepër subjektiv, por kjo është më tepër një rivdekje sesa një rilindje. E njëjta gjë edhe me sheshin në Tiranë. Ai nuk është shesh. Si mund të jetë shësh një gungë, një gungë e cila ngjan me një çiban, lungë me qelb? Monumenti i Skëndërbeut, apo kulla e Sahatit kanë vite që janë tkurrur nuk bien më në sy.

Krimi më i madh është në zemër të qytetit të Tiranës, me malin e Dajtit, i cili nuk mund të shihet me sy të lirë nga qytetarët për shkak të kullave. E njëjta gjë po ndodh edhe me Kopshtin Botanik të marrë nga qeveria, po ashtu ka frikë se e njëjta gjë do të ndodh e me Liqenin Artificial. kam frikë se do ta zhdukin, do ta thajnë për të ndërtuar kulla edhe atje. Kjo sepse kështu thotë mendja e ndritur e kreut të qeverisë se dhe e kreut të Bashkisë Veliaj.

Ju i keni ndjekur zhvillimet e fundit të Teatrit Kombëtar. Keni një koment për dhunën policore të ushtruar ndaj artistëve dhe qytetarëve të Tiranës?

Kjo është një taktikë djallëzore e cila po ndiqet. Është një lojë e tillë dhe luftë nervash në rrafshin psikologjikë sepse qeveria dhe bashkia po shpresojnë se do të lodhen aktorët. Kishim mbetur një grusht, mirëpo tani falë sensibilizimit të njerëzve, me thirrjen më të vogël njerëzit vijnë direkt për mbrojtjen e kësaj godine.

Unë nuk jam profet, por atje ka militant të kulturës që janë gati të sakrifikojnë veten duke bërë grevë urie. Tashmë kryeministri Rama edhe kreu i bashkisë Veliaj e kanë ndjerë se Aleanca për Teatrin është e vendosur për të mbrojtur teatrin.

Javën e kaluar, kreu i opozitës Basha firmosi një kontratë me AMT. Keni ju një koment në lidhje me këtë çështje. Mos u politizua pak kauza e Teatrit?

Unë nuk do ta quaja kontratë, por marrëveshje. Kjo marrëveshje ishte e nevojshme me qëllim që aktorët dhe faktorët negativë të këtij zullumi, kreu i qeverisë Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, tani e ndjejnë që nqs opozita vihet në mbrojtje me Aleancën vihen në mbrojtje të teatrit, ngjarjet do të marrin një rrjedhë tjetër. Unë mendojë se kryeministri tani nuk ndihet fort i sigurt në vetëvete. Mirëpo, kjo nuk është një kompromis përgjithmonë me opozitën, pasi që nqs opozita e sotme kalon në qeveri nesër dhe veprojnë në të njëjtën menyrë si kjo qeveri, artistët dhe intelektualët së bashku me qytetarët prapë do të ngrihen në mbrojtje të historisë dhe kulturës së vendit tonë.

Kreu i Bashkisë Erion Veliaj tha sot se shëmbja e Teatrit është e largët. A mendoni se ka një tërheqje?

Në çfarë nuk mund të presim nga qeveritarët tanë qoftë në rang qëndror qoftë në rang vendor. Kjo mund të jetë një taktikë për të vënë në gjumë palët. Unë pres gjithçka nga ta, sepse ata e konceptojnë Tiranën dhe Shqipërinë si pronë të tyre, ndërsa kjo nuk është e tillë. Tiranën dhe Shqipërinë ne ua kemi marrë hua brezave që do vijnë. Kështu që ata do të na gjykojnë. Kjo është një ndërgjegje kombëtare afatgjatë.

Si i lexoni qëndrimet e ndërkombëtarëve? Soreca tha sot që çështja u politizua dhe se me të do të merren autoritetet.

Lidhur me ndërkombëtarët, unë kam një pikëpyetje madhore. Flasin për vetting, por si mund të bëhesh aleat me djallin për të luftuar djallëzinë? Si mund të bëhesh aleat me të korruptuarit dhe të pasuruarit e këtij kombi për të luftuar korrupsionin?

Unë mendoj se opozita po vepron sot për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar, për t’i berë që të kuptojnë se po gabojnë. Ndërkohë nëse i bënë një analizë kupton lidhjen e qarqeve qeveritare me krimin, korrupsionin dhe narkotrafikimin. Për të gjitha këto ata ua janë hapur sytë ndërkombëtarëve.

Një diçka tjetër jo normale nga ana morale për ndërkombëtarët është se ata vendosin stabilitetin mbi demokracinë. Ata duhet të kenë parasysh se vendosja një veprim i tillë sjellë instalimin e diktaturave.

Çfarë taktike po ndjek kryeministri Rama kur përmend aktorët që janë pro shembjes së teatrit?

Ai i ndërron taktikat në çdo çast, është shumë i zhdërvjellët nga kjo anë. Unë mendoj se taktikat e tij në këto momente janë spostimi i vëmendjes dhe presioni i hapur që të trembi njerëzit. Unë mendoj se ai po mundohet të qëndroi në pushtet në të gjitha mënyrat.

Unë kam frikë se institucionet e drejtësisë edhe pas vetting-ut do të jenë nën pushtetin e kryeministrit Rama dhe nëse një gjë e tillë ndodh kjo do të jetë së tepërmi vdekjeprurëse për demokracinë.

Profesor, çfarë do të bëni nëse Teatri rrezikon të shembet? Do të dilni edhe ju që ta mbroni atë?

Sigurisht, unë jam pjestar, e ndjej veten pjestar të Aleancës për Teatrin, por ndonjëherë nuk  mjafton vetëm dëshira dhe vullneti i një mase të caktuar. Duhet që AMT të shtohet në numër. Duhet që të gjithë ata që e duan Tiranën, artin dhe kulturën të bëhen pjesë. Cilësia më e madhe që një njeri mund të ketë është solidariteti. kështu që njerzit duhet të tregohen solidar për të mbrojtur kulturën dhe vlerat. Vetë ata socialist të ndërshëm, nëse ka ende të tillë, vetë ata duhet të marrin guximin dhe të vijnë në shesh. Nuk duhët të kenë frikë, dhe në këtë mënyrë t’i tregojnë se jo të gjithë socialistët përkulen përballë vullnetit diktatorial të kryeministrit.

Kryeministri Rama e thotë shpesh se jeni në minorancë. A do arrijnë qytetarët t’i përgjigjen thirrjes për mbrojtjen e teatrit?

Koha jonë është koha e minorancave. Kryeministri e di shumë mirë këtë. Këshilli i Europës dhe organizma të tjerë ndërkombëtar i mbrojnë minorancat, por në gojën e kryeministrit termi minorancë ka një term përbuzës. Këtu ka shumë minoranca, por duke u bashkuar ato përbëjnë një mazhorancë. Minorancë ne të teatrit Kombëtar, minorancë te Astriri, minorancë protesta e studentëve pak kohë më parë, të gjitha këto kur bashkohen japin një mazhorancë. Dalldija oratorike nëpërmjet rrjeteve sociale e kryeministri ka bërë që atij t’i vishen sytë edhe logjika. Ai nuk sheh më qartë tashmë sepse është dehur nga pushteti. Pushteti ësht droga më e tmerrshme jo vetëm për popullin por edhe për atë që është në majë të piramidës shtetarore. Kjo sepse kur rrokullisesh nga maja e piramidës bie në batak.

Profesor, si e parashikoni fatin e teatrit kombëtar? A shikoni dritë në fund të tunelit?

Unë nuk jam fallxhor, por uroj me shpirt që teatri të mbijetojë dhe të luajë rolin e tij historik në Tiranë dhe Shqipëri. Duhet që të gjithë njerzit e ndershëm të na bashkohen. tani kemi të bëjmë me një përplasje midis ndershmërisë, qytetarësh të ndershëm të këtij vendi dhe një grupi njerëzish, individësh që janë në pushtet që duan ta mbajnë me çdo kusht këtë pushtet qoftë duke sakrifikuar popullin e vetë.