Xhixho: Rezistenca për Teatrin, frymëzuese, Meta veprim shtetari

“Gjithë rezistenca e komunitetit të artistëve, qytetarëve, Aleancës së Teatrit, 1 vit e dy muaj gati ka qenë stoike, e qëndrueshme dhe shumë frymëzuese”. Kështu deklaroi nga studio e News24 në rubrikën “Opinion”, nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho, e cila komentoi zhvillimet e fundit politike në vend.

“Kur ka një debat të madh, shija që të lënë përleshjet e qytetarëve e artistëve me policinë është shumë e keqe dhe një imazh që nuk do doje ta shihje kurrë. Teatri është një monument. Janë disa vlera në këtë qytet dhe disa momente që janë biografia e këtij qyteti që duhet ruajtur. Në një sistem demokratik nëse ka një mosmarrëveshje mes qytetarëve dhe qeverisë ekzistojnë gjykatat”, deklaroi Xhixho.

Ajo theksoi se ligji që ka kaluar në parlament është antikushtetues, i paprecedentë, ndërsa e cilësoi veprim shtetari vendimin e Presidentit Ilir Meta për ta çuar në Gjykatë Kushtetuese.
“Nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese, qytetarët, Aleanca do ta kishte atakuar në Gjykatën Kushtetuese siç ka bërë Presidenti i Republikës. Veprimi i Metës, veprim i një shtetari të rëndësishëm që shpreh një shqetësim.
Pse nuk thërrasim ne një referendum për një çështje kaq të rëndësishme. Nuk është një çështje thjesht e ndërtimit të një teatri të ri por një aferë. Pse të mos thërrasim një referendum të kuptojmë kush është maxhoranca dhe minoranca në këtë rast”, u shpreh Xhixho.