Vllaznia nis përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Mirsan Jonuz

3 ditë pasi prezantoi trajnerin nga Maqedonia e Veriut, Mirsan Jonuz si kreun e pankinës, Vllaznia nisi sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, që e gjen sërish mes më të mirëve, pas një viti në Kategorinë e Parë.

 

Në ditën e parë të stërvitjes, kanë qenë të pranishëm më shumë se 15 futbollistë, ndonëse vetëm pak prej tyre kanë kontratë me Vllazninë, ndërsa pjesa tjetër duhet të kalojnë filtrat e trajnerit maqedonas për të fituar një vend në ekip.

Klubi shkodran ka firmosur vetëm me pak futbollistë nga sezoni i kaluar, si Krymi, Sherri, Lika, Malota, etj., ndërsa emra si Gocaj, Hajdari, etj., do të duhet të bindin trajnerin Jonuz, për të vazhduar të jenë pjesë e Vllaznisë.

Ndërkohë, kujtojmë që deri tani shkodranët kanë firmosur vetëm me Dajan Shehin dhe Herald Markun futbollistë që sezonin e kaluar ishin pjesë e Kastriotit në Superiore, ndërsa në ditët në vijim priten edhe emra të tjerë.