Vasili: Reforma në drejtësi “sukses i madh” vetëm për krimin dhe korrupsionin

Nga Petrit Vasili

Nga Great Success tek Big Failure, dhe Reforma qe s’ecën, ndërsa miliona euro dhe dollarë që ecin?!

Që reforma në drejtësi ka tre vjet që kapet nga qeveria dhe që s’ecën, këtë e shohin dhe e kuptojnë të gjithë, bile kjo nuk do edhe ndonjë zgjuarsi të madhe se është kaq e qartë.

Por se si dhjetëra miliona euro dhe dollarë nga BE dhe SHBA vazhdojnë, ecin dhe derdhen për një reformë që s’ecën dhe është kapur nga qeveria, këtë nuk e kupton njeri……

Nuk e kupton njeri po e them për mirësjellje, sepse të gjithë e kuptojnë që ç’ke me atë punë, duke filluar nga shqiptarët të parët, sepse nga që e kuptojnë shumë mirë, afër 90% e tyre i refuzuan votimet rilindase të 30 qershorit dhe ” sukseset” e kleptoqeverisë megjithë “suksesin madhështor” të reformës në drejtësi brenda, që i la pa gjykata dhe ku drejtesinë e kapi qeveria.

Reforma sukses i madh ose “Great Success” thonë me gojën plot.

Po pse nuk e kuptojnë Europianët këtë “suksesin e madh” xhanëm dhe vazhdojnë e nuk na i hapin negociatat per anëtarësim në BE për vite me radhë.

Po pse investitorët nuk e kuptojnë “suksesin e madh” dhe vetëm ikin e ikin nga Shqipëria dhe shkojnë në Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi dhe nuk vjen asnjë investitor i rëndësishëm në Shqipëri.

Po pse shqiptarët nuk e kuptojnë “suksesin e madh” dhe ikin me mijëra e mijëra nga Shqipëria, meqë thonë se reforma u bë për popullin shqiptar.

Po pse nuk e kupton këtë “sukses të madh,” Departamenti Amerikan i Shtetit, që na e thotë troç në Raportet e tij se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë, që krimi është këmbëkryq edhe në mes të Tiranës, që Shqipëria është bazë e krimit të organizuar për Europën, SHBA, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme, që Shqipëria është shndërruar në një lavatriçe gjigante parash të pista.

Po pse nuk e kupton këtë “”sukses të madh” Komisioni Europian që na tregon me gisht katastrofën ekonomike ku po bie Shqipëria për shkak të miliardave të koncesioneve hajduterore, që kanë rrëmbyer 45 % te GDP së Shqipërisë.

Reformën si “sukses të madh” e kupton vetëm Rama dhe qeveria së grabisin miliarda siç duan dhe nuk i hyn gjemb në këmbë pasi falë reformës kapen drejtësinë.

Reformën si “sukses të madh” e kuptojnë të gjithë ata që i bëjnë rrush e kumbulla dhjetëra milionë eurot dhe dollarët e Europës dhe Amerikës, mbushin xhepat dhe në fund do të thonë: “reformën e bëmë, por është e padukshme ndaj nuk e shikoni”.

Reformën e kupton si “sukses të madh” vetëm krimi dhe korrupsioni, që janë më rehat se kurrë sepse nuk ndëshkohen, ndaj edhe vetëm rriten e zmadhohen dhe kanë kapur për fyti Shqiperinë.

Mire ne na thonë: hajeni me zor reformën në drejtesi si “Great Success”,
po atyre, që i paguajne dhjetëra milionë eurot dhe dollarët dhe që e dinë shumë mirë çfarë është drejtësi e barabartë për të gjithë qytetarët dhe nuk e hanë për sukses këtë “Big Failure” si do t’ia bëjnë, çfarë do t’u thonë, si do t’i gënjejnë, se minareja e dështimit nuk futet në xhep????