Vasili i kthehet shefes së ONM-së: Nuk kemi pse presim 1 mijë vjet për reformën në drejtësi

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i është kundërpërgjigjur deklaratave që shefja e misionit të ONM-së në Tiranë, Genoveva Calavera bëri një ditë më parë lidhur me ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësi.

Përmes rrjeteve sociale, Vasili i kujton Calavera-s se shqiptarët nuk kanë pse të presin 1 mijë vjet sa Roma për të bërë këtë reformë.

“Calavera nuk do presim 1 mijë vjet sa Roma për reformën në drejtësi!!!

Dje Calavera tha:

“Duhet të jemi krenarë me atë që është arritur. Proverba thotë se Roma nuk është ndërtuar në një ditë, kështu që një reformë e tillë nuk mund të bëhet në një ditë, por do vite dhe integritet”.

Kushtetuta e 21-22 korrikut ka afate të qarta të shkruara e zeza mbi të bardhë, për të mos pritur sa Roma për reformë, por ato janë shkelur e dhunuar nga fillimi në fund,

  1. A e rrit dhe garanton integritetin e reformës dhunimi i korpusit juridik bazë të saj, siç është Kushtetuta normat dhe afatet e saj?

Kandidatët e kontestuar fort nga vetë ONM e Calaverës sot janë anëtarë të shumicës së KLGJ dhe KLP, sepse rilindja i hodhi në kosh edhe konstatimet e ONM-së dhe i zgjodhi ata se i duheshin për të kapur drejtësinë.

  1. A e rrit dhe garanton integritetin e reformës prania e këtyre anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së pa asnjë integritet?

Calavera i referohet Romës dhe mirë bën, por shqiptarët nuk kanë kohë të presin 1 mijë vjet, ata kërkojnë respekt absolut të Kushtetutës së tyre që e lexojnë vetëm në shqip!

Ata refuzojnë kapjen e drejtësisë nga rilindja me anë të klientëve të saj dhe me integritet të rrënuar, që kanë mbushur institucionet e reja.

Që Calavera nuk do të përgjigjet kjo dihet..! Të paktën të na kursejë retorikat me dogmat “alla komuniste” të së shkuarës me armiq dhe me dashnorë të reformës në drejtësi”, u shpreh në reagimin e tij, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.