Solidariteti me Haradinajn përtej dritë hijeve të Ramushit

Nga Andi Bushati:

Ramush Haradinaj nuk është një ëngjëll. Përtej aureolës së komandantit trim të UÇK, që ende mban të varrosur në pragun e shtëpisë në Gllogjan dëshmorët që familja e tij i dha Kosovës, qëndron njeriu që nuk e kanë shpënë fare kot dy herë në Hagë, nga ku doli i padënuar pasi dëshmitarët ishin zhdukur.

Ramush Haradinaj nuk është as një idealist naiv. Përtej dashurisë patetike për Kosovën, qëndron kryeministri që mori vendim ti rrisë pagën vetes se i duheshin më shumë kravata, qëndron njeriu që theu rekordin e numrit të zëvendësministrave duke e përdorur shtetin si kamaradare për ekuilibrat e pushtetit, qëndron lideri që i mbushi bordet publike me militantë dhe familjarë.

Ramush Haradinaj aq më pak është një politikan parimor. Ai që, sëbashku me Vetëvendosjen, i vuri flakën parlamentit dhe i mbyti kolegët e tij me gaz lotësjellës, për të mos i falur tokë Malit të Zi, kur erdhi puna për t’u bërë kryeministër, i tradhëtoi sa hap e mbyll sytë aleatët e dikurshëm, madje i haroi edhe ato 8 mijë hektarë për të cilat ishte betuar se do të derdhej gjak.