Rama paralajmëron të vetët: Njerëzit do humbasin durimin me ne

“Çfarë kemi bërë deri më tani nuk ka më rëndësi pas 30 qershorit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama përpara anëtarëve të Asamblesë Socialiste, të cilëve u kërkoi që të rrisin vëmendjen dhe shërbimin ndaj qytetarëve. “Niveli i sherbimit ndaaj qytetarëve jo vetëm që nuk mjafton por duhet të na shqetësojë”, theksoi ai. Rama paralajmëroi se nëse anëtarët e PS nuk e kuptojnë këtë fakt, atëherë njerëzit do të humbasin durimin me mazhorancën dhe nuk do t’i mirëkuptojnë gabimet e saj. “Nëse nuk e kuptojmë këtë sa më parë, aq më shpejtë, njerëzit pas 30 qershorit do të humbasin durimin me ne. Do të jenë shumë më pak të pritur të mirëkuptojnë gabimet tona dhe nuk do të kenë asnjë gatishmëri të na falin kusuret që na i kanë falur deri me 30 qershor”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, e konsideroi 30 qershorin ”si fundi i një akti të radhës në historinë e politikës së përçarjes, një akti i fryëmzuar dhe i organizuar për të marrë peng Shqipërinë në kuptimin më të plotë të fjalës, duke marrë peng zgjedhjet dhe përmes zgjedhjeve, Reformën në Drejtësi”.

”Prandaj edhe ato zgjedhje u kthyen në një kulm të një përplasjeje që herë pas here në të gjitha vitet dhe zhvillimet demokratike është shfaqur mes anti-shtetit dhe shtetit. Këtë herë me një dimension më shumë, me dimensionin e përpjekjes për të mbrojtur pandëshkueshmërinë në raport me një Shqipëri të drejtë për të cilën ne luftojmë patjetër me plot pengesa, gabime, dështime dhe jo vetëm me arritje dhe në rrugën drejt të cilës jemi, siç i takon PS-së në vijueshmërinë historike të saj, në përputhje me interesin kombëtar dhe njëkohësisht në përputhje të plotë edhe me miqtë tanë strategjikë”, u shpreh kryeministri.