Rama: 30 qershori kaloi, por plaga është e hapur. Disa punë i bëmë keq

Kryeministri Edi Rama është shfaqur sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të bërë analizën e 30 qershorit. Në një fjalim qytetarët patën mundësinë të shihnin dy qëndrime  të kryeministrit.

I pari ishte pamja gati e tulatur e një kryeministri që kuptonte se 30 qershori nuk ishte fitore e tij dhe as e partisë dhe qeverisë që drejton. Me tone të qeta kryeministri deklaroi se në 30 qershor nuk fitoi Partia Socialiste edhe pse mori 61 bashki, por qytetarët që nuk u bënë pjesë e akteve të dhunës. Gjithashtu ai pranoi se në 30 qershor nuk u votua Partia Socialiste për gjoja reformat që ka bërë, por u votua thjeshtë një datë. Kryeministri pranoi se 30 qershori nuk ishte betejë politike, por një datë që e vetmja fitore e PS ishte mbështetja e pakushtëzuar dhe për shumicën e qytetarëve e pakuptimtë e ambasadave. Ndaj në fjalën e tij, më shumë u falënderuan ambasadorët sesa qytetarët shqiptarë. Por nga ana tjetër, kryeministri pranoi se 30 qershori kaloi si një ditë e qetë, por problemet e krizës politike janë edhe më të rënda tani. “30 qershori kaloi, por plaga është ende e hapur. Në fituam, po duhet të kuptojmë se nuk fituam se kemi bërë punë të mira, madje kemi bërë dhe punë keq. Ato që kemi bërë deri tani nuk mjaftojnë më pas 30 qershorit duhet shqetësohemi si të bëjmë punë më mirë. Pas 30 qershorit njerëzit nuk do të na i falim më gabimet që na kanë falur”,- deklaroi Rama.

Dalja e më pak se 20% e qytetarëve në votimet e 30 qershorit i kanë dhënë kryeministrin mesazhin se arroganca qeverisëse ndëshkohet në shumë mënyra. Një prej tyre ishte dhe bojkoti total i fasadës. Ndaj dhe kryeministri ishte në dukje reflektues dhe shumë pak arrogant në krahasim me atë që jemi mësuar të shohnim para 30 qershorit.

Por kjo ishte pjesa e parë e nëntekstit të fjalimit të sotëm të Edi Ramës. Pjesa e dytë dhe ajo që lexohet në qëndrimet e tij është kokëfortësia për të vijuar në rrugën që ka nisur, por me mjete dhe propagandë më të rafinuar. Kështu teksa nuk kishte ndonjë gjë për tu krenuar me 30 qershorin, disa minuta më pas, Edi Rama shpalli edhe fitoren e zgjedhjeve në vitin 2021 dhe parashikoi një mandat të tretë deri më 2025! “2 vitet e mbetura të mandatit tonë dhe 4 vitet e mandatit tjetër janë borxh yni ndaj qytetarëve”,- tha ndër të tjera Edi Rama. Pra nuk la hapësirë për zgjedhje të parakohshme dhe mungonte vetëm shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2021. Nuk është çudi që edhe këto zgjedhje t’i mendojë pa opozitën.

Edi Rama në Asamblenë Kombëtare u shfaq me njëjtat qëndrime kundër opozitës dhe standardeve demokratike, si para 30 qershorit, por vetëm këtë herë kryeministri përdori fjalë të tjera. Në dukje reflektues, por në thelb i njëjti kryeministër që pranon që në Shqipëri të ndodhë çdo gjë, por vetëm ai të mos lëshojë asgjë nga vetja dhe pushteti i tij.