“Na braktisën” polakët! INSTAT: Polonia, rënien më të madhe të hyrjeve në Shqipëri!

Në vitin 2017, Shqipëria ‘u mbush’ me polakë, të cilët për arsyje nga më të ndryshmet, zgjodhën të ‘eksploronin’ vendin tonë. Në atë vit, Shqipëria ndjeu një rritje të hyrjeve nga Polonia me më shumë se 70 %, çka në atë kohë, e bënte këtë të fundit një shifër shpresëdhënëse. Ndërsa, në vitin 2018, në gjashtëmujorin e parë, Polonia mbante sërish ‘stafetën’ pasi kishte rritjen më të madhe të hyrjeve në Shqipëri, me 26.4 %

Mirëpo, mesa duket, ‘eksplorimi’ i Shqipërisë nuk zgjati më shumë se dy vjet. A nuk ditëm t’i prisnim? A zhgënjyem pritshmëritë e polakëve? A nuk ishim aq të mirë sa për të na kërkuar sërish, apo është ‘rastësore’, kjo mbetet për t’u diskutuar.

Instat ka bërë publikimin më të fundit, në të cilin rezulton se shtetasit polakë kanë pasur uljen më të ndjeshme të hyrjeve në Shqipëri.

Bazuar në këto shifra, Shqipëria ka filluar të mos jetë më destinacion i tyre përgjatë gjithë këtyre muajve, duke filluar që nga Janari e deri në Qershor, në të cilin u ndje më së shumti rënia e hyrjes së shtetasve nga Polonia në Shqipëria.

Njëkohësisht, Qershori ‘përfaqëson’ fillimin e sezonit turistik. Nga 27 mijë e 990 hyrje të shtetasve nga Polonia në Qershor 2018, këtë vit, Qershori numëroi 25 mijë e 909 vizita nga polakët, duke ndjerë një rënie me 7.4 %

Referuar shifrave të Instat, në periudhën  Janar – Qershor 2018, Shqipëria ‘u zgjodh’ nga 41 mijë e 624 polakë, kurse për të njëjtën periudhë të vitit 2019, Shqipëria ka numëruar 38 mijë e 974 hyrje të shtetasve nga Polonia, duke ndjerë një rënie me 6.4 %

Lidhur me sezonin turistik, për të gjykuar përfundimisht do të na duhet të presim edhe statistikat e korrikut dhe të gushtit, por megjithatë, pavarësisht ‘dëshirës së mirë’, dy muaj do të ishin të pamjaftueshëm për të përmbysur shifrat e deri më tanishme! / SCAN