Mihajlovic mbyll ciklin e parë të kimioterapisë, nuk i largohet për asnjë çast skuadrës

Paniku te Bologna duket se ka marrë fund.

Sinisa Mihajlovic ka mbyllur me sukses ciklin e parë të kimioterapisë dhe do të qëndrojë në spital për të paktën tre javët e ardhshme. Konfirmimi vjen nga klubi i Seria A përmes faqes zyrtare në internet të saj.

“Këtë pasdite konfirmojmë se Mihajloviç ka përfunduar ciklin e parë të kimioterapisë, i cili filloi të enjten më 18 korrik, pa komplikime. Përgjigjja ishte siç pritej nga mjekët në “Istituto Seragnoli” në spitalin “Sant’Orsola” në Bolonjë. Mihajloviç do të qëndrojë në klinikë për të paktën edhe tre javë për një monitorim të afërt të reagimit të tij ndaj trajtimit.”-thuhet në njoftimin e klubit italian.

Trajneri serb u diagnostikua me leuçemi akute, por kjo nuk e ndal që të përgatis skuadrën për sezonin e ri. Ai ndjek nga afër të gjitha sesionet e trajnimit të Bolognës, mbarëvajtje që e ndjek përmes livestreaming nga shtrati i tij në spital.