Elbasan/Policia Rrugore plan masash për përballimin e fluksit veror

Shefi i seksionit për Menaxhimin e Trafikut Interurban dhe Urban në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, komisar Kreshnik Skëndo, gjatë një prononcimi për mediet njoftoi masat që janë marrë nga Policia Rrugore për sezonin turistik e veror.

Elbasani është një nga qytetet me trafik të dendur për shkak të pozicionit gjeografik por edhe për shkak të ndryshimit të infrastrukturës rrugore kohët e fundit ku është rregulluar segmenti rrugor nga rrethi i “Bradasheshit”, deri në Tiranë dhe të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga jugu i Shqipërisë preferojnë të kalojnë nëpërmjet Elbasanit për të mbërritur në Tiranë.

Por trafiku është rritur edhe për shkak të sezonit veror. “Me këtë rast dua t’i bëj apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë shumë kujdes, pasi Policia Rrugore do të qëndrojë shumë e rreptë ndaj këtyre shkeljeve, për të parandaluar aksidentet rrugore në këtë pikë të sezonit veror për gjithë Qarkun e Elbasanit nga Rrogozhina deri në Qafë-Thanë dhe deri në kufi me Tiranën nëpërmjet tunelit”, tha Skëndo.

Sipas tij, është bërë plani i masave për këtë fluks. Sinjalistika në përgjithësi është përmirësuar, por në rast se drejtuesit e mjeteve bëjnë parakalime të gabuara bëhen shkak për aksidente dhe jo rrallëherë me pasoja të rënda.