Ramushi-pabesia e politikanëve dhe zemërimi i popullit kosovar

Ramush Haradinaj dha dorëheqjen për t’u paraqitur në gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në Hagë. Ai dy herë ka qenë dhe të dy herët, pas intrigave të shërbimeve dhe lobimëve serbe, ia arriti të provojë pafajsinë e tij dhe të UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës.

Fill pas të dytës herë ai u ba edhe kryeministër i Kosovës. E drejtoi jo keq për mbarëvajtjen e punëve të rrëmujshme kosovare, por mbi të gjitha e drejtoi me shpirt patrioti dhe vendosmërie kur u fol për ta copëtuar apo siç thonë ish-miqtë e tij në shtetin e Kosovës, për të shkëmbyer territore me Serbinë. Haradinaj ishte barrikada e madhe ndaj pazarëve Vuçiç-Thaçi-Mogherini (komisionere e BE). Ai nuk la asnjë hapësirë që ata, dhe të tjerë, të copëtonin Kosovën. Bile tregoi forcë kur vendosi taksen mallrave serbe, derisa ata të njihnin Kosovën si shtet të pavarur dhe të mos e pengonin për tu bërë anëtar në OKB.

Prapaskenat për ta mposhtur Ramushin nuk gjetën asnjë sukses.

Ramushi mbeti Ramush!

I vendosur, stoik dhe rrezikoi shumë nga karriera e tij me disa të huaj që e donin dhe po luftojnë për ta copëtuar Kosovën. Luhet edhe për miliarda dollarë për ta marrë Trepçën ku ka pasuri shekullore. Ramushi ia doli me të huajt antikosovarë.

Por nuk ia doli me të vetët kosovarë, pra më saktësisht me politikanët e lartë kosovarë, të cilët duke mos patur guxim t’i dilnin Ramushit përballë, i dolën nga pas si në prita. I nxorën Hagën bashkë me armiqtë e Kosovës, serbët.

Por popullin e fitoi Ramushi. Të gjithë e dijnë se ai po sakrifikohet për të mbrojtur Kosovën, pothuaj si dikur Isa Boletini.

Ramushi po ikën në Hagë si ish-kryeministër. Dhe do fitojë. E do vijë më pas si kryetar shteti në Kosovë, edhe për të zëvëndësuar ata që e prenë në besë në bashkëpunim me serbët.

S.P.