Pronat e kopshtit botanik, Fakulteti i Shkencave të Natyrës kundër qeverisë

Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në një njoftim publikuar në faqen zyrtare të Fakultetit është shprehur kundër VKM-së së qeverisë për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të Kopshtit Botanik.

Dekanati njofton se bëhet fjalë për VKM-në që mban numrin 510, datë 17.07.2019 “Për kalimin në pronësi, të Bashkisë Tiranë, të disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3292, pra Kopshti Botanik.

“Dekanati shprehet unanimisht kundër këtij vendimi arbitrar dhe në kundërshtim flagrant me VKM–në e datës 15.03.1965 për krijimin e Kopshtit Botanik, i vetmi institucion kërkimor-mësimor në vend në fushën e florës, unikal në llojin e tij në vend dhe si i tillë i shpallur në vitin  1995 si institucion i rëndësisë së veçantë”, – shkruhet në deklaratë.

Sipas tyre vendimi cënon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke rënë ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë.

“Vendimi për kalimin në pronësi dhe administrim të Bashkisë jo vetëm cënon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke rënë ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë, por dhe do të bënte të pamundur funksionin e këtij institucioni, produkt punës së përkushtuar më se 60 vjeçare të brezave të pedagogëve e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës”, – shkuhet ndër të tjera në deklaratë.

Ata theksojnë se Përvojat e hidhura të deritashme të Fakultetit të tonë me Muzeun e Shkencave të Natyrës, Departamentin e Bioteknologjisë, “ngrënien” e paradokohshme të një cope nga Kopshti në fjalë së bashku me godinën dykatëshe (dhuratë nga Ambasada Amerikane), për kalimin e Unazës së Re, nuk japin asnjë garanci, përkundrazi, flasin në të kundërt të ndonjë mundësie të realizimit të funksionit dhe misionit të Kopshtit Botanik nga ndonjë insititucion tjetër jashtë Universitetit të Tiranës”.

Nga ana tjetër dekanati shpehet se është i hapur për çdo bashkëpunim, që synon mbështetjen dhe zhvillimin e këtij institucioni, pa cënuar funksionin dhe misionin e tij Kpshtit Botanik.

“Shprehemi dhe një herë se kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo bashkëpunim me synim mbështetjen dhe zhvillimin e këtij institucioni me vlera unikale kombëtare, në respekt të qëllimit, misionit dhe funksionimit të tij. Në këtë kontekst ne mirëpresim planet dhe investimet e Bashkisë Tiranë, por gjithnjë të dakordësuar dhe pa cënuar funksionin e misionin e Kopshtit Botanik”.

Dekanati citon se kjo deklaratë është hapi i parë dhe zyrtar kundër VKM-së së qeverisë duke besuar në tërheqjen e qeverisë.

Ata theksojnë se nëse qeveria nuk tërhiqet, dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë për anulimin e VKM-së.

“Kjo deklaratë është hapi i parë i reagimit zyrtar dhe publik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Univeristetit të Tiranës në kundërshtim të këtij Vendimi, me besim që reagimi i Qeverisë për tërheqjen e tij të jetë sa më i shpejtë. Në të kundërt, ne jemi të vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për anulimin e kësaj VKM-je në mbrojtje të Kopshtit Botanik, si aset kombëtar kërkimor dhe mësimor i pazëvendësueshëm”.