PD: 3 vjet pas reformës, drejtësia private e Ramës s’ka ndëshkuar asnjë zyrtar

Në tre vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi, Partia Demokratike ka sjellë në vëmendje vendimin e Gjykatës së Durrësit, ku e njëjta gjykatë dha dy vendime të ndryshime për mandatin e kandidates së PS.

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata tha se vendimi i Durrësit është dëshmia me e qartë se çfarë drejtësia private ka vendosur Edi Rama në Shqipëri. “Vendimi i Gjykatës së Durrësit, pak ditë më parë, është simboli i drejtësisë private që ka ngritur Edi Rama. Vendimi skandaloz, i paprecedentë në historinë e qytetërimit perëndimor, ku vendimi i gjykatës ndryshohet të nesërmen nga e njëjta gjykatë, sipas interesit të kryeministrit, është dëshmia më tronditëse për kapjen totale të drejtësisë nga Edi Rama dhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes”,- tha Gjata.

Përfaqësuesi PD-së solli në vëmendje se kjo drejtësi private e Edi Rama ka bërë që në tre vite të mos ketë asnjë zyrtarë të lartë të ndëshkuar nga drejtësi edhe pse korrupsioni dhe skandalet nuk kanë munguar asnjëherë. “Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të ndryshuar një vendim pa e apeluar atë dhe dhjetëra vendime te tjera antikushtetuese me refomën në drejtësi, e faktojnë Edi Ramën si armikun më të madh të drejtësisë së barabartë për të gjithë. 3 vjet pas miratimit konsensual të ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët janë dëshmitarë se drejtësia private e Edi Ramës nuk ka ndëshkuar asnjë zyrtar të lartë. Asnjë ministër, asnjë zyrtar i lartë publik, asnjë politikan nuk ka dalë para drejtësisë për vjedhjen e përditshme të shqiptarëve”,- deklaroi Çlirim Gjata.

Përfaqësuesi ligjor i PD thotë se drejtësia private që ka instaluar Edi Rama është garancia për gjithë zyrtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin në PS.

“Drejtësia private që ka ndërtuar Edi Rama 3 vjet nga reforma në drejtësi është bërë mburojë e çdo pushtetari apo krimineli të lidhur me pushtetin që vjedh zgjedhjet për llogari të Edi Ramës.  Shqiptarët janë dëshmitarë të imunitetit që Edi Rama i ka dhënë Vangjush Dakos, i cili duhet të ishte sot në burg për krimin e blerjes së zgjedhjeve me krimin e organizuar”,- deklaroi Çlirim Gjata.