Opozita letër Kolegjit Zgjedhor: Pezulloni dhënien e mandatave për Këshillat Bashkiakë

Opozita i ka dërguar një letër Kolegjit Zgjedhor, duke kërkuar pezullimin e dhënies së mandateve për Këshillat Bashkiakë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet. Letra e opozitës nga numri 2 i PD-së, Gazment Bardhi, është dërguar para nisjes së shqyrtimit në kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë. Letra për pezullimin e shpërndarjes së mandateve nga Kolegji, informohet ODIHR, ONM, BE, ambasadat kryesore në Tiranë.

”Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetueshmërinë e votimeve të 30 Qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake. Sipas Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se “çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër”.

Në letër thuhet se ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese, mbi kushtetueshmërinë e Dekreteve të Presidentit. ”Standardet e shqyrtimit gjyqësor te nosmarrëveshjeve në rrezik nga presioni i vetingut mbi disa anëtarë të Kolegjit Zgjedhir. Vendimet e deritanishme të Kolegjit Zgjedhor, të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht, sipas interesit të Qeverisë. Regjistrimi i paligjshëm i Bindjes dhe mohimi i opozitës për komisionerët, u konstatuan të paligjshme nga ODIHR. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dekretin e zgjedhjeve”.

Duke përmendur datën 13 tetor, të dekretuar nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet lokale, opozita thotë se mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen, pasi sipas saj, janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti. ”Ky është një rast që Kolegji të mos lejojë zëvendësimin e pluralizmit me partinë shtet dhe demokracia me diktaturën. Koha t’i shërbeni interesit publik përpara interesit tuaj privat, i cili po përdoret nga Rama për të krijuar drejtësinë e tij private, duke i shkaktuar Shqipërisë një dëm afatgjate”.