Nis shqyrtimi i padive të Bindjes Demokratike

Kolegji Zgjedhor nisi shqyrtimin e padive të Bindjes Demokratike kundër KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit. E para në radhë, padia për zgjedhjet në bashkinë Selenicë. Bindja kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve dhe kërkon përsëritjen e tyre.

Përfaqësuesi ligjor i Bindjes, Fabian Topollai, thotë që vëzhguesit e “Bindjes” kanë qenë të lirë dhe jo të akredituar, pasi kjo kërkesë nuk u miratua nga KQZ. “Vëzhguesit tanë kanë vërejtur se në mbyllje të votimit ka pasur diskordancë në numrit të njerëzve që ata kanë numëruar të votojnë dhe numrit që rezultonte në lista”, tha Topollai.

“Mendojmë se komisionerët u kanë dhënë votuesve më shumë se një fletë votimi. Po ashtu mendojmë se kutitë janë mbushur nga komisionerët. Ka diskordancë të numrit të votave të numëruara në ekranet e numërimit dhe votave të pasqyruara në procesverbale. Në kërkuam ne KQZ të hapen kutitë e materialeve zgjedhore”.