Irani arreston 17 “spiunët” e Amerikës

Ndërsa raportet mes Teheranit dhe Washingtonit mbeten të tensionuara, Irani raportohet se ka arrestuar 17 qytetarë të akuzuar si spiunë të Amerikës.

Mediet vendëse publikuan të hënën imazhe të të dyshuarve iranianë duke kontaktuar oficerë të shërbimit informativ amerikan.

Autoritetet pretendojnë se të akuzuarit ishin punësuar në sektorë të rëndësishëm si ekonomia, infrastruktura, ushtria dhe industria bërthamore e kibernetike, ku grumbullonin informacione dhe ua dorëzonin ato pjesëtarëve të CIA-s amerikane në këmbim të emigrimit, punësimit në SHBA ose vlerave monetare.

Ministria iraniane e Shërbimeve Informative njoftoi se disa nga tradhtarët e vendit do të ekzekutohen, ndërsa në Washington, kryediplomati, Mike Pompeo, deklaroi se lajmi nuk është për t’u besuar.

Dy vendet prej muajsh vijojnë të përplasen për çështjen e sigurisë së ujërave detare në Gjirin Persik, ku disa anije me naftë kanë rënë pre e sabotimeve apo edhe janë konfiskuar nga ana e Teheranit.

Incidenti më i fundit përfshiu marrjen peng të ekuipazhit dhe një anijeje me flamur britanik, zhvillim që ka nxitur zyrtarët më të lartë anglezë të mendojnë bashkëpunimin me SHBA-në për të krijuar një forcë detare ndërkombëtare që do të mbrojë mjetet lundruese në rajon nga sulmet e Iranit.

Qeveria britanike pritet të shpallë hapat e mëtejshëm në një seancë plenare gjatë ditës së hënë.