Hysi: Aktiviteti i SPAK nën vëzhgimin e amerikanëve dhe BE. Ja problemi kryesor që ka drejtësia

Në studion e ABC News me gazetaren Mirela Milori, ka qenë e ftuar, Vasilika Hysi, deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Deputetja Hysi ka shpjeguar se reforma në drejtësi, synon të jetë eficente, e pavarur për të gjithë, por sidomos për qytetarët, e cila do ti vendos të gjithë në të njëjtin stad.

E pyetur nga gazetarja Mirela Milori, se nëse produkti i dalë nga reforma në drejtësi, do të korrigjojë për mirë drejtësinë në vend, Hysi tha se, kjo reformë  është një reformë për qytetarët, e cila i jep fund pabarazisë.  Sipas Hysit problemi kryesor në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, është pandëshkueshmëria.

“Reforma në drejtësi nuk është thjesht Vettingu, ajo ka shumë aspekte të tjera që lidhen me çështjet e përditshme të qytetarëve, me drejtësinë e vonuar, që qytetarët e hasin në gjykatat e sotme. Në ditët e sotme kemi ende qytetarë që enden dyerve të gjykatave  prej 20 vitesh për të marrë të drejtën e tij, për çështje pronësie. Kemi patur debat t madh për çështjet që  kanë shkuar në gjykatën e Strasburgut. Një ndryshim shumë të rëndësishëm për këtë çështje  që kemi bërë në kuadër të reformës në drejtësi është ndryshimi i kodit të procedurës civile dhe përmirësimi i ligjit për avokaturën e shtetit, që për cdo zvarritje të proceseve gjyqësore qytetari ka të drejtë të mos shkojë në gjykatën e Strasburgut por të ketë mjete efektive të brendshme t’i realizojë në Shqipëri”, tha Hysi.

Më tej në bisedën e saj në studio me gazetaren Mirela Milori, Hysi ju përgjigj edhe pyetjes se, nëse do të mundet të blihet drejtësia me këtë reformë.

Jo nuk mendoj që do të blihet dot me reformën. Në këtë moment ne kemi një sistem të ri drejtësie që po ngrihet dhe një sistem tjetër që po funksionon, një pjesë që po jep shpirt dhe një pjesë tjetër që është i shëndetshëm. Ne duhet të informojmë më shumë për zbatimin  e reformës në drejtësi, çfarë po bëhet me institucionet e reja të reformës në drejtësi, cilat janë pengesat, barrierat dhe si mund të ecet me edukimin ligjor të qytetarëve”, tha Hysi duke shtuar se qytetarët përveç rrugës së gjykatave dhe prokurorisë, mund të zgjidhin çeshtjet edhe përmes ndërmjetësimit.

Hysi tha se ngritja e SPAK do të jetë i shpejtë dhe se të gjithë politikanët, zyrtarët, funksionarë dhe ish funksionar që kanë gabuar ose gabojnë me ligjin duhet ta kenë frikë atë. Hysi gjithashtu theksoi se SPAK nuk ka lidhje me politikën dhe se aktiviteti i saj do të jetë nën monitorimin e OBDAT, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe misionet e Bashkimit Europian.

Mirela Milori: Duam të flasim pak për SPAK, sepse është një lojë tjetër e politikës, a do të jetë një organizëm që mund të diktohet nga politika, apo SPAK do të diktojë ndoshta, dhe ndryshime politike në vend?

Vasilika HysiSPAK nuk ka lidhje me politikën fare, as me opozitën as me pozitën. Gjithë aktiviteti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë por dhe ngritja e SPAK apo Byroja Kombëtare e Hetimit, do të jetë nën vëzhgimin  dhe monitorimin e  OBDAT, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.  Nuk besoj se SHBA dhe BE do të kapen nga mazhoranca. SPAK pritet të ngrihet së shpejti. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka gati gjykatën e posaçme.  Me ngritjen e SPAK do të ngrihet dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Spak do të merret me atë pjesë të drejtësisë që merret me zyrtarë të lartë dhe me ish funksionarë të lartë. Ne duhet të shohim më të njëjtën vëmendje ecurinë e reformës në drejtësi për SPAK por edhe në gjykatat e zakonshme, tha Hysi.

Mirela Milori: Ju keni qenë që në fillim të hartimit të reformës në drejtësi, pas 3 vitesh, a duhet të kenë politikanët frikë nga ngritja e SPAK?

Vasilika HysiTë gjithë politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë nga ngritja e SPAK, pavarësisht cilës force politike i përkasin, çdo person që ka lidhje me krimin e organizuar, çdo funksionar dhe ish-funksionar i lartë i cili ka gabuar ose gabon me ligjin, deklaroi Hysi.

/abcnews.al