Dybala i sakrifikuari i madh i Juves, United dhe PSG gati ta “rrëmbejnë”

“Bollëku” duket se po kthehet në problem te skuadra e Juventusit. Skuadra bardhezi pritet të bëjë ndryshime të rëndësishme në ditët në vijim në merkato. Në sulm përshembull Sarri ka zgjedhur që të privohet nga Gonzalo Higuain, por nëse nuk do të gjendet një skuadër që do të paguajë shifrën e transferimit për të, atëherë edhe mund të qëndrojë. Një tjetër futbollist që rrezikon shumë është Paulo Dybala, i cili ka oferta të rëndësishme nga Manchester United dhe PSG.

 

Trajneri i “Zonjës së Vjetër” të dielën konfirmoi se dikush duhet të largohet, dhe emri i argjentinasit është ndër të parët në listën e tij, por për një shumë më të lart se 80 milionë euro.  Manchester United me shumë mundësi do të humbasë Lukakun dhe Pogban gjatë kësaj vere, dhe blerja e La Joya do të ishte një goditje e gjetur. PSG me Leonardon në krye po mendojnë për një pasues për Neymarin, i cili nuk dëshiron që të qëndrojë më në Paris.

80-100 milionë euro është një shifër që nuk përbën problem për skuadrën franceze. Gjithsesi dilemat pritet që t’i shuajë vetë Dybala pas rikthimit, teksa pritet të ketë një takim me Sarrin, nëse bën pjesë në skemat e tij taktike. /R.Lika-Koha Jone/