Bogdani: Lukaku më i fortë se Dzeko, niveli i Seria A është rritur

Ka luajtur për 13 vite në Itali, më së shumti në Serinë A dhe është golashënuesi më i mirë i Kombëtares së Shqipërisë. Erjon Bogdani ka dhënë një intervistë për TuttoMercatoWeb, ku jep mendimin e tij edhe për çështje “të nxehta” të futbollit italian.

Më mirë Dzeko apo Lukaku tek Interi?

Mua më pëlqen shumë Lukaku. Është i fortë dhe ende i ri. Sipas mendimit tim, mund të bëjë shumë mirë. I përshtatet lojës së Contes.

Ju keni marra përvojë si trajner te Shqipëria. Çfarë vjen më pas?

Përvoja me Kombëtaren më ka formuar shumë si trajner. Kam qenë për një vit e gjysmë ndihmës-trajner dhe arritëm një rezultat historik, siç ishte kualifikimi në Europian, nga ku dolëm me kokën lart. Jam i kënaqur me punën time edhe në sektorin e të rinjve të Shqipërisë.

Cili është modeli i i trajnerit që duhet të ndiqni?

Kam pasur fatin të takohem me Antonio Conten. E di sesi punon dhe metoda e tij më pëlqen shumë. Më pëlqen edhe loja e Sarrit. Niveli i Serisë A është rritur shumë, ka trajnerë që kanë bërë mirë edhe jashtë, si Conte dhe Sarri. Edhe Giampaolo dhe Montella do të bëjnë gjëra të rëndësishme. Simone Inzaghi, gjithashtu, po bën shumë mirë. Kampionati i ardhshëm do të jetë i bukur.

Por pret të marrësh drejtimin e një skuadre?

Po shoh shumë përqark, por lëviz e po ndjek shumë ndeshje. Kam shumë dëshirë të tregoj se mund të jem trajner i zoti.

Në qendër të merkatos është Mauro Icardi, që do të largohet nga Interi…

Është futbollist që gjithmonë ka shënuar shumë gola, mirëpo shoqëria ka bërë zgjedhjen e saj. Sigurisht, edhe pse mbetet jashtë programit të Interit, është futbollist shumë i mirë. E shoh se mund të përshtatet si tek Napoli i Ancelotti ashtu edhe tek Juventusi.

Si e sheh nga jashtë menaxhimin e situatës së Icardit?

Nuk është një gjë e mirë… Ajo është menaxhere e Icardit. Gjërat e shtëpisë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe ato të punës, jashtë. Edhe fakti që Wanda Nara del në televizor si opinioniste dhe thotë disa gjëra, nuk është bukur.

Hysaj mund të largohet nga Napoli….

Ka treguar se është futbollist shumë i mirë. Ka luajtur në të gjitha ndeshjet dhe mund të bëjë pjesë në skuadrat e nivelit më të lartë. Ka qenë me mua në Kombëtare, e kam vlerësuar. Mund të luajë si anësor i djathtë, por përdor mirë edhe të majtën.