Vetting-u, policët duhet të deklarojnë edhe orenditë shtëpiake

Procesi i Vetting-ut në policisë, ka nisur me zyrtarët e parë të nivelit drejtues, spektri i verifikimit është zgjeruar duke përfshirë edhe rrethin familjar të efektivave. Ata duhet të deklarojnë detajet e jetës ekonomike në një tjetër formular të ri para se ti nënshtrohen filtrimit. Dokumenti i vetëdeklarimit u është shpërndarë të gjithë efektivëve, të cilëve u kërkohet të përgjigjen për detaje të tjera të jetës personale, të stilit të jetesës dhe kushteve në të cilat ata jetojnë.

Punonjësit e policisë duhet të deklarojnë në formular pajisjet elektroshtëpiake, si televizor, lavatriçe, frigorifer, bolier apo dhe pajisje të tjera. Përveç detajeve për orenditë që kanë në banesë punonjësit duhet të rrëfejnë në formular sipërfaqen e shtëpisë, apo nëse jetojnë me qira, duke specifikuar nëse e kanë në përdorim banesën apo janë me kredi.

Çdo efektiv duhet të komentojë në formular nëse banesa është e kënaqshme, e mjaftueshme apo e pamjaftueshme si edhe të japë një bilanc të të ardhurave mujore të anëtarëve të familjes. Vetting-u në polici nis në javën e parë të muajit gusht, ku gjatë fazës së parë do të skanohen 245 drejtues me grada të larta në nivel qendror në policinë e shtetit, SHÇBA dhe gardën e republikës.