Shkolla e re në Baldushk, Veliaj: Mbajmë premtimin si në qendër, ashtu edhe në periferi

Jo vetëm Tirana qytet por edhe ajo rurale është në fokusin e Bashkisë së Tiranës kur vjen puna te investimet infrastrukturore. Dhe në këtë prag të fillimit të vitit të ri shkollor një vëmendje e veçantë po i kushtohet infrastrukturës arsimore me qëllim që të sigurohen të njëjtat mundësi për fëmijët, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo fshat.

Fëmijët e fshatit Qendër Fushas në njësinë e Baldushku do ta nisin vitin arsimor në ambiente të reja dhe me kushte moderne, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë. Bashkia e Tiranës po vijon punën për të përfunduar në kohë shkollën në këtë fshat në mënyrë që ajo të jetë gati në shtator kur të nisë mësimi. Lajmin e bën të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka publikuar edhe disa foto nga puna që po kryhet për këtë shkollë.

“Vijon puna për shkollën e re “Qendër Fushas” në Baldushk. Po mbajmë premtimin si në qendër, ashtu edhe në periferi, me synimin për të servirur një të ardhme më të mirë. Në shtator jemi gati për të hapur dyert e të nisim mësimin për të gjithë fëmijët e zonës. Bëni gati çantat!”, shkruan Veliaj.