Kryeministri grek prezanton objektivat: Rilindim klasën e mesme

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka prezantuar parlamentit objektivat konkretë të qeverisë së tij vetëm 2 javë nga fitorja në zgjedhjet parlamentare. Sikurse premtoi në fushatën elektorale, përparësi do i jepet ekonomisë dhe veçanërisht rilindjes së klasës së mesme. Prioritetet e qeverisë së re greke do të jenë ulja e taksave, hapja e vendeve të punës dhe lufta ndaj krimit.

Mitsotakis deklaroi të shtunën në nisje të debatit treditor për programin politik të demokratëve se objektivat fiskalë janë konsultuar me kreditorët, si Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Misioni ynë është që rritjen ekonomike ta ndjejnë të gjithë grekët. Duam t’u japim shanse të rinjve përmes edukimit, të rregullojmë tregun e punës, si edhe t’u ofrojmë shërbim të mirë shëndetësor atyre në nevojë”.

Projektbuxheti i vitit 2020 që do dërgohet në parlament në muajin shtator parashikon masa konkrete si uljen me 22 për qind të taksës së shumëdebatuar mbi pronësinë, uljen graduale të taksës mbi të ardhurat deri në 10 mijë euro nga 22 në 9 për qind, përgjysmimin e dividendit në 5 për qind, shlyerjen e borxheve dhe privatizimin e rrjetit energjetik publik, rihapjen e rafinerisë më të madhe të naftës në vend, dhe vënien në përdorim të aeroportit të Helenikonit.