Dhuna në familje, 500 urdhra mbrojtje vetëm në Tiranë

Dhuna në familje vijon të jetë një plagë e thellë e shoqërisë shqiptare. Në 7 muajt e parë të këtij viti gjykata e Tiranës ka dhënë mbi 500 urdhra mbrojtje për dhunë në familje, mes të cilëve 458 kanë qenë të menjëhershëm për shkak të rrezikut që i kanosej të dëmtuarve.

Paçka se numri është i lartë, urdhrat e mbrojtjes duket se nuk ndikojnë në parandalimin e krimeve, siç ishin vrasja e gruas nga bashkëshorti në Durrës, apo goditja e babait nga djali me sopat. Në të dyja këto raste viktimat kishin urdhër mbrojtje por kjo duket se nuk i ka ndihmuar. Avokati Erjon Kullolli, thotë se motivet që i çojnë qytetarët në duart e gjykatës për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes janë të ndryshme dhe kanë të bëjnë me plagët e shoqërisë.

“Kryesisht shkaqet janë ato ekonomike, depresioni ekonomik, të qenurit nën ndikimin e alkoolit. Më të përhapurat kur miratohet urdhri i mbrojtjes është kur komisariati i policisë sjell si prova në gjykatë raportime për dhunë sistematike. Raportime me shtrirje të gjatë kohore dhe gjyqtari e ka shumë të lehtë ta vlerësojë edhe në bazë të bindjes së brendshme, që sjella e të paditurit ose të paditurës është një sjellje e përsëritur”.

Numri i denoncimeve ka qenë shqetësues në Tiranë edhe gjatë vitit të shkuar, ku në 12 muaj janë lëshuar 1161 urdhra, nga këto 945 kanë qenë të menjëhershëm. Rastet e dhunës në familje vijojnë të jenë një nga problemet më shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Në vitin 2018, policia ka regjistruar 4.411 raste të tilla, ku janë lëshuar 3037 urdhra mbrojtje.